English

Cirku i Metropolit hap sezonin me “Erë vjeshte”

Tiranë, 15 shtator, NOA/Milena Selimi - Sezoni i ri artistik shtator 2010-qershor 2011, në Cirkun e Metropolit do të fillojë në datat 18 dhe 19 shtator me një shfaqje variete.

Nën titullin “Erë vjeshte”, kjo shfaqje është konceptuar si një miks numrash që përfshijnë të gjithë zhanret tradicional të cirkut, që nga akrobacia, numrat plastik, kllounada, numrat me kafshë, xhonglim etj.

Spektakli këtë herë u është besuar artistëve të rinj që përgatiten në Cirkun e Metropolit, por nuk do të mungojnë edhe emrat tashmë të njohur të tij, ku spikatin artistët Stela Blloshmi, Gentian Dollaku, Fitnete Duro, Klaudia Duro, Fiqiri Luli, Vilson Gjocaj dhe Novruz Hyseni, Alush Liliani etj.

Organizatorë artistikë të shfaqjes premierë “Erë Vjeshte” janë Fatosi Roshi dhe Kujtim Dumi.

Një pjesë integrale e shfaqjes është edhe muzika e interpretuar live nga orkestra tradicionale e Cirkut të Metropolit që do të shoqërojë të gjithë numrat e shfaqjes.

“Erë vjeshte” fillon të shfaqet në datat 18 dhe 19 shtator në orën 11.00 për të vazhduar çdo të shtunë e të diel të javëve në vazhdim në të njëjtën orë.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE