English

Falsifikonte dokumente, arrestohet drejtori i uzinës së Superfosfatit në Laç

Laç, 15 shtator, NOA – Drejtori i uzinës së Superfosfatit në Laç është vënë pranga nga forcat e policisë së këtij qyteti, nën akuzën e falsifikimit të dokumentave.

Lajmi bëhet për agjencinë e Lajmeve NOA, duke pohuar se 53-vjeçari Andrea Gjinaj është ndaluar së bashku me 46-vjeçarin Mark Gjinaj, i dënuar më parë për veprën penale të “Falsifikimit të akteve të gjendjes civile”; pasi në kontrollet e ushtruara në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar disa dokumente zyrtare e vula që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Ndërkaq, pohohet se janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale edhe dokumente të ndryshme si çertifkata, dëftesa shkollore, vula, pasaporta etj. Gjithashtu filloi Mësohet nga ana tjetër, se në lidhje me këtë çështje ka nisur edhe procedimi penal në gjendje të lirë 44-vjeçares Tereza Kola, me banim në qytetin e Laçit dhe 40-vjeçarit Kujtim Bejtja, me banim në fshatin Bushnesh të Kurbinit.

Kjo pasi nga kontrolli i ushtruar në banesën e Kolës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa dokumente, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara të cilat janë lënë nga Andrea Gjinaj.

Gjithashtu nga kontrolli personal ndaj Kujtim Bejtjas, i cili është kapur në zyrën e Andrea Gjinajt, janë sekuestruar një palë dokumente makine e dokumente të tjera, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Materialet iu kaluan prokurorisë së Kurbinit për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, ”Falsifikim i dokumentave shkollore”, ”Falsifikim i pasaportave”, ”Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, ”Falsifikimi i akteve të gjendjes civile”, parashikuar nga nenet 186,187,189,190 e 191 të Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE