English

Festa e Pezës, nesër festime non-stop nën një skenë gjigande

Tiranë, 15 shtator, NOA – “Festa e Pezës, e cila është kthyer tashmë në traditë për kryeqytetin çdo datë 16 shtator, edhe ditën e nesërme do të përshkohet nga një eveniment festiv.

Kështu, Bashkia e Tiranës bën me dije se nesër me datë 16 shtator organizon një festë të madhe, të cilën pritet ta vizitojnë shumë qytetarë nga Tirana dhe jo vetëm.

“Duke qenë se në këtë festë spektatorët janë të shijeve, moshave e kulturave të ndryshme, është kuruar çdo detaj në mënyrë që secili të gjejë hapësirën e tij”, bën me dije kabineti i Bashkisë së Tiranës, që po merret me organizimin e këtij evenimenti.

Konkretisht, anëtarët e tij bëjnë me dije se “një skenë gjigande do të ndërtohet në qendër të Pezës, ku nën dritat shumëngjyrëshe do të ngjiten artistë të mirënjohur dhe të rinj. Si çdo vit çati e kësaj skene do të jetë qielli”.

“Festimet fillojnë me këngët dhe vallet e ansamblit ”Tirana”, për të vazhduar më tej në orët e mëvonshme, kur në skenë do të ngjiten këngëtarë të rrymave të ndryshme, që nga muzika folk e deri tek ajo moderne”, thuhet në njoftimin përkatës, mbi organizimin e festës së Pezës.

Duke shtuar si element edhe faktin se “mjedisi do të jetë i përshtatur në mënyrë të tillë, që vizitorët të kenë mundësi të ndjekin pa u lodhur këtë maratonë festive”.

“Për të gjithë të interesuarit që duan t’i bashkohen këtyre festimeve, do të vihen në dispozicion autobusë urbanë, pranë Stadiumit ”Dinamo”, të cilët nga ora 17:00 deri me 23: 00 do të kryejnë itinerar të rregullt për të marrë dhe kthyer njerëzit nga Festa e Pezës”, përfundon sqarimi i organizatorëve të Bashkisë së Tiranës.

n.e/NOA

KOMENTE