English

Ish kinema Dajti shndërrohet në qendrën shumëfunksionale rinore “Ten”

Tiranë, 15 shtator, NOA – Nga sot të rinjtë e kryeqytetit do të kenë në dispozicion të tyre një hapësirë të re funksionale, e cila do të mirëpresë të gjithë ata që do të duan të shfrytëzojnë kohën e tyre të lirë në mënyrë frytdhënëse, duke zhvilluar talentet dhe njëkohësisht duke rritur shkallën e dijeve të tyre.

Kjo është qendra multifunksionale “Ten”, e cila pas punës disavjeçare të Bashkisë së Tiranës ka shndërruar strukturën e vjetër të ish-kinema “Dajtit”, duke e kthyer atë në një qendër shumëfunksionale për rininë.

Kjo hapësirë synon t’u japë të rinjve mundësinë për t’u shoqërizuar në kushte e standarde europiane dhe një shans për të gjithë ata, që do të duan të kalojnë sëbashku orët e pas-shkollës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama tha në inaugurimin e saj se “Prej vitesh ne dëshironim këtë moment, prej vitesh kemi punuar për të ndërtuar këtë hapësirë, e cila është hapësira e fëmijëvë, të rejave dhe të rinjve të talentuar, për të marrë kurse pa asnjë pagesë, për talente në muzikë, në arte pamore, në balet klasik e modern si dhe për të qenë pranë librit, për t’u prezantuar me librat e rinj dhe për të ndërtuar aktivitetet e tyre”.

Zoti Rama tha se kjo hapësirë e re shumëfunksionale është e hapur, të mirëpresë të gjithë ata që duan të regjistrohen në këto kurse dhe njëkohësisht është e gatshme të dëgjojë të gjithë idetë e sugjerimet e të rinjve, që dëshirojnë të kenë një hapësirë të përbashkët, për të zhvilluar këto ide dhe për t’i parë këto sugjerime të realizuara.

“Unë jam shumë i kënaqur, që ne sot ia arritëm që ta krijojmë e ta vëmë në dispozicion Qendrën Multifunksonale “Ten” që është Tirana e nxënësve, por njëkohësisht edhe numri 10 dhe presim që bashkë me ata që do të vijnë, të ndërtojmë një rrugë dhe një proces ku të gjithë të përfitojnë nga koha e tyre e lirë për të zhvilluar talentet e tyre dhe njëkohëisht për të rritur shkallën e dijeve të tyre”, theksoi kryebashkiaku Rama.

Qendra Multimediale “TEN” është e pajisur me një sallë qendrore, e cila është konceptuar për 130 persona dhe do të kryejë projeksion për filma, dokumentarë, materiale didaktike, prezantime, Poëer Point, shfaqje teatri, koncerte të muzikës klasike, të lehtë dhe popullore instrumentale si dhe pritje zyrtare, me pjesëmarrje të gjerë, mbledhje forumesh komunitare, si dhe festime të ndryshme të të rinjve.

Mexanina e fëmijëve do të shërbejë si laborator shfaqjesh për grupmoshat 3 deri në 13 vjeç, me grupe jo më shumë se dhjetë vetë.

Në këtë sallë fëmijët do të kenë mundësi të argëtohen duke pikturuar, do të bëjnë punime me plastelinë e materiale të riciklueshme, do të lexojnë e tregojnë përralla, do të jenë pjesëmarrës të shfaqjeve teatrale për nxitjen e Tregim dhe interpretim historish e përrallash.

Në këtë qendër shumëfunksionale do të zhvillohen edhe takime të librit, prezantime librash të rinj nga vetë autorët si dhe kurse trainimi për këngë e kërcime.

Qendra Ten do të ketë edhe një laborator Pamor, që do të jenë edhe ambienti kushtuar pikturës, instilacionit dhe fotografisë, ku të rinjtë do të mund të bëjnë kurse pikture, instilacioni, si dhe të ekspozojnë punët e tyre në korridorin e ekspozimit, që do të shërbejë si një galeri arti.

Rëndësi e veçantë në këtë qendër do t’i kushtohet aksesit të Internetit në godinë, si një element i rëndësishëm për funksionimin dhe mbështetjen e të rinjve, përmes ofrimit të një shërbimi modern.

mit/NOA
KOMENTE