English

Lutje z.Pettifer: Mos e pezulloni guidën për Shqipërinë

Tiranë, 15 shtator, NOA /Gëzim Llojdia - Kam një arsye që unë dhe dhjetëra intelektualë apo punonjës që merren me trashëgiminë kulturore kërkojmë që z.Pettifer të mos e bllokojë guidën blu për Shqipërinë.

Ajo ka të bëjë me faktin se kjo guidë do të tregojë shumë për vlerat arkeologjike të vendit tonë, të cilat janë shumë herë më të mëdha se ato çka dinë të huajt deri tani dhe paraqesin një interes të madh për vizitorët.

Dy vizitorë irlandezë kur i njoha gjatë një vizite në parkun e Orikumit, i pyeta se nga e kishin informacionin për vendin tonë, më zgjatën një libër turistik në gjuhën angleze.

Kjo guidë turistike përfshinte shumë vende të Ballkanit dhe për më tepër, fliste edhe për udhëtimet e motoçiklistëve, që fillon në vendet e ish-Jugosllavisë për të mbërritur në vendin tonë, pikën kufitare në Han të Hotit.

Por për Shqipërinë, kjo guidë kishte një informacion të vakët.

P.sh për Orikun, sitin arkeologjik rreth 22 km në jug të qytetit të pavarësisë, kishte vetëm tre rreshta dhe ku thuhej se ky vend arkeologjik gjendej brenda një bazë ushtarake dhe nuk ishte i vizitueshëm e sesi, në vitin 1997 ishte vjedhur e dëmtuar baza ushtarake dhe siti arkeologjik.

Në këtë guidë jepej edhe Karaburuni, por që nuk mund të vizitohej.

Ndërsa kam parë edhe një guidë tjetër, e cila ishte shkruar dhe botuar në vendet sllovake,

kryesisht në Çeki, e cila kishte mjaft fletë dhe goxha informacion, por që në faqe të parë kishte një foto provokuese: një gomar në mes të pazarit.

Edhe informacioni që ishte diku aty, vërtitej rreth faktit se çfarë skandali do të vërenin vizitorët e huaj gjatë ditëve të udhëtimit turistik në Shqipëri.

Me këta dy shembuj, dua që të sqaroj se guidat që shpesh të huajt bëjnë për këtë vend kanë një tendencë për të nxjerrë në pah anët negative të tij.

Duke parë këto fenomene të cilat nuk përbëjnë faktorin kryesor mendoj se Pettiferi nuk duhet ta pezullojë punën për hartimin e kësaj guide, për të cilën kanë shumë nevojë

turistët e huaj dhe me kryesore ai ka punuar për 20 vjet me dëshirë.

Ky libër nuk bëhet për qeverinë dhe të bllokohet, por të bëhet për trashëgiminë kulturore të këtij vendi, i cili i ka rrënjët nga antikiteti i lashtë.

Unë do t’i shprehja zotit Pettifer lutjen time “Mos e braktis punën sepse shqiptarët do të jenë mirënjohës”.

g.ll/NOA

KOMENTE