Shkup, 15 shtator, NOA - Mbi 50 mijë shqiptarë në Maqedoni vazhdojnë të jenë pa nënshtetësi, shifër kjo e cila do të ndikojë në numrin e përgjithshëm të regjistrimit të popullsisë të parashikuar për vitin e ardhshëm.
Ky shqetësim vjen pas vendimit të publikuar të qeverisë për mbajtjen e regjistrimit të popullsisë nga 1 prilli e deri më 15 prill të vitit 2011.
Kjo shifër e lartë e publikuar edhe nga partitë politike dhe ekspertë për çështje të demografisë mund të rrezikojë numrin e përgjithshëm të popullsisë shqiptare në Maqedoni.
Ligji për regjistrimin e popullsisë nuk ka të definuar këtë kategori të qytetarëve, të cilët në fjalorin juridik ndërkombëtar njihen si “apatrid”, apo qytetarë pa shtetësi.
Plotësimi dhe ndryshimet e ligjit për nënshtetësinë të bëra gjatë vitit 2004, sërish lanë pa zgjidhur të drejtën e shtetësisë për shumë shqiptarë.
Me problemin e shtetësisë, ballafaqohen shqiptarët të cilët janë të lindur në Maqedoni dhe jetojnë me dekada të tëra, të cilët edhe përkundër vendqëndrimit të dëshmuar dhe pronësisë e pasurisë në vendin e lindjes, megjithatë refuzohen nga ministria e Brendshme.
E drejta e shtetësisë nuk u njihet edhe shumë emigrantëve shqiptarë të cilët pas periudhës së shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe në fillimet e pavarësimit të Maqedonisë janë gjetur jashtë vendit.
Kjo kategori e qytetarëve përbëhet kryesisht nga shqiptarë që për mbi 50 vite e më tepër jetojnë në Maqedoni, por që kanë origjinë nga zonat e tjera shqiptare nga Kosova, Lugina e Preshevës apo ish-republikat e tjera jugosllave.
Një shifër e tillë e përafërt jepet edhe nga ekspertë dhe avokatë që janë marrë me lëndë të tilla, të cilët theksojnë se kjo problematikë po ndjekë dhe ka vënë në hall shumë familje shqiptare, por që tashmë ato janë lënë në harresë totale.
NOA-INA