Tiranë, 15 Shtator 2010 NOA – Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar (KMSH) Haxhi Selim Muça vijon të jetë drejtuesi i institucionit edhe pas mbledhjes së sotme të Kryesisë.
“Jam në krye të detyrës konform rregullave”. Ishte pohimi që u bë nga vetë z.Muça pas disa deklarimeve jozyrtare që u publikuan pasditen e sotme.
Ndërkohë, Kryesia e KMSH-së (Komuniteti Kysmilan Shqiptar) në mbledhjen e sotme në kuadër të mbarëvajtjes së punëve në institucion ka miratuar disa ndryshime, që lidhen me drejtimin e saj.
Kështu KMSH vendosi që z. Bujar Spahiu të lirohet nga detyra e Drejtorit të Arsimit por ai vazhdon detyrën e nënkryetarit të KMSH-së.
Institucioni që drejton fenë islame në vend vendosi të emërojë në detyrën e Drejtorit të Arsimit z. Altin Shima, i cili deri tani ka qenë Drejtor i Medresesë së Korçës dhe Myfti i Rrethit Kolonjë, Ersekë.
Ai ka një përvojë disa vjeçare në fushën e arsimit, si arsimtar dhe drejtues i lartë, si dhe është i pajisur me kualifikimin fetar dhe laik.
Sakaq, Ilir Vokshi lirohet nga detyra e Myftiut të Tiranës dhe vazhdon detyrën si Myfti i Rrethit Durrës, e cila është një myftinj e madhe me problematika të shumta.
Kurse Hafiz Shaban Saliaj rikonfirmohet Myfti i Rethit Tiranë dhe Bilal Teqja emërohet ndihmës myfti i Tiranës.
Duke u bazuar në nenin 25 të Statutit të KMSH-së dhe Rregulloren e Brendshme të saj, si dhe duke ndjekur zhvillimet e kohës dhe duke parë rëndësinë e medias dhe marrëdhëniet me publikun, KMSH vendosi të krijojë Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe Median.
Me këtë rast KMSH vendosi dhe që të emërohet në detyrën e Drejtorit të Marrëdhënieve me Publikun dhe Median z. Agron Hoxha, i cili ka një eksperiencë të gjatë në fushën e medias, ka mbaruar medresenë dhe Universitetin për Media dhe Radio Televizion, si dhe prej shtatë vjetësh është kryeredaktor i Gazetës Drita Islame. Krahas Detyrën e Drejtorit të kësaj drejtorie do ta kryejë së bashku me atë të kryeredaktorit.
e.r/NOA