English

Ministri i larguar Prifti, letër Ina Ramës: Po më kërcënojnë për të më vrarë

Tiranë, 15 shtator 2010, NOA - Ministri i sapolarguar i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti, i drejtohet me një letër kryeprokurores Ina Rama, ku i kërkon ndërhyrjen pasi sipas tij po kërcënohet me jetë, madje nga struktura dhe individë politikë deri të partisë ku aderon dhe është numri dy në drejtim.

Prifti i referohet kërcënimeve siç tha të Spartak Brahos dhe tha se “shprehja e tij për mua, që: “nuk merrem me të ikurit dhe të vdekurit” është kërcënuese për mua dhe më tregon se në kokën e Spartak Brahos unë mund të jem dhe i “Vdekur”.

Ndaj prifti kërkon nga Rama që “deklaratat e sotme të z. Braho të përfshihen në hetimin që ju po bëni për kërcënimet ndaj meje, dhe ju lutem të përshpejtoni zbardhjen dhe zbulimin e kërcënuesve të vërtetë”.

e.r/NOA

Më poshtë vijon letra e plotë:

Znj. Prokurore e Përgjithshme

Siç mund të jeni në dijeni, unë kam bërë një denoncim në organin e Prokurorisë disa javë më parë në lidhje me disa mesazhe elektronike që më kanë kërcënuar jetën mua dhe familjes sime.

Deri para pak kohësh nuk mund të paragjykoja se nga më vinin këto kërcënime, por kohët e fundit mendoj se konteksti i tyre mund të jetë politik. Në të përditshmet e sotme, sidomos tek Telegraf dhe Mapo, ish-deputeti Spartak Braho ka shfryrë kundër meje me një gjuhë kërcënuese dhe kriminale.

Shprehja e tij për mua, që: “nuk merrem me të ikurit dhe të vdekurit” është kërcënuese për mua dhe më tregon se në kokën e Spartak Brahos unë mund të jem dhe i “Vdekur”.

Spartaku ka një të shkuar si Prokurori i regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe në aktivitetin e tij, siç e ka zakon ai të mburret, ka dënuar njerëz me vdekje dhe litar. Ai ka dhe një djalë që punon në prokurori. Në media herë pas here, vitet e kaluara, kanë dalë akuza për lidhjet e tij me botën e krimit, pavarësisht se të pakonfirmuara ligjërisht.

Unë kërkoj që deklaratat e sotme të Z. Braho të përfshihen në hetimin që ju po bëni për kërcënimet ndaj meje, dhe ju lutem të përshpejtoni zbardhjen dhe zbulimin e kërcënuesve të vërtetë.

Ministri

Dritan Prifti

KOMENTE