English

Miratohet projektligji “Për bazat e të dhënave shtetërore”

Tiranë, 15 shtator, NOA – Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi sot projektligjin “Për bazat e të dhënave shtetërore”, të propozuar nga ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit.

Ky projektligj ka si qëllim administrimin e bazave të të dhënave shtetërore elektronike si dhe ndërveprimin ndërmjet tyre për të siguruar përdorimin me efektivitet nga çdo subjekt i interesuar.

Në një shoqëri të bazuar në informacion, bazat e të dhënave dhe kryesisht bazat e të dhënave elektronike, që mundësojnë ofrimin e shërbimeve publike elektronike, marrin një rëndësi të veçantë dhe rregullimi ligjor bëhet mëse i nevojshëm.

Aktualisht, Shqipëria ka bërë disa hapa të rëndësishëm në drejtim të krijimit të infrastrukturës së shoqërisë së informacionit përmes ngritjes së “Rrjetit Ndërministror GovNet”, si dhe ngritjen e disa bazave të të dhënave ku ndër më kryesoret janë: Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile (RKGJC), Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR), Qendra Kombëtare e Licencimit (QKL), si dhe bazat e të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme e Shërbimit, të Transportit Rrugor. Këto baza të dhënash duhet të vijnë në përputhje me përcaktimet e këtij ligji.

Realizimi i koordinimit të bazave të të dhënave shtetërore do të mundësojë ndër të tjera reduktimin e kostove dhe kohës për ofrimin e shërbimeve, përshpejtimin e proceseve të përpunimit të të dhënave, shkëmbimin e sigurt të të dhënave, marrjen e shërbimeve në një pikë të vetme në mënyrë të shpejtë dhe efikase, etj.

n.e/NOA

KOMENTE