English

Myftijtë nga gjithë Shqipëria, takim urgjent me kreun e KMSH

Tiranë, 15 Shtator 2010 NOA - Kryesia e Komunitetit Mysliman, imamët e Tiranës dhe myftijtë e rretheve kryesore kanë vizituar sonte urgjentisht kryetarin e KMSH, Haxhi Selim Muça duke i shprehur mbështetjen dhe solidarizimin.

Që të gjith, kanë deklaruar se ata janë duke u distancuar kategorikisht nga veprimet e papërgjegjshme të personave të pamandatuar.

Më herët sot, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar (KMSH) Haxhi Selim Muça konfirmoi sot se ai vijon të jetë drejtuesi i institucionit edhe pas mbledhjes së sotme të Kryesisë.

“Jam në krye të detyrës konform rregullave”. Ishte pohimi që u bë nga vetë z.Muça pas disa deklarimeve jozyrtare që u publikuan pasditen e sotme.

Por më pikantja e deklaratës ishte akuza: “Forca te errëta pasi patën larguar ish-kryetarin pak vite më parë në rrethana misterioze realizuan vrasjen në zyrë të ish-sekretarit të përgjithshëm të ndjerit Salih Tivari, tani po mundohen të largojnë me dhunë dhe kërcënime kryetarin legjitim të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë”.

Muça siguroi se “për personat që kanë organizuar këtë kaos në institucion, kryesia e KMSH do të marrë masa në bazë të statutit dhe rregullores së brendshme të KMSH”.

Ndërkohë, Kryesia e KMSH-së (Komuniteti Mysliman Shqiptar) në mbledhjen e sotme në kuadër të mbarëvajtjes së punëve në institucion ka miratuar disa ndryshime, që lidhen me drejtimin e saj.

Kështu KMSH vendosi që z. Bujar Spahiu të lirohet nga detyra e Drejtorit të Arsimit por ai vazhdon detyrën e nënkryetarit të KMSH-së.

Institucioni që drejton fenë islame në vend vendosi të emërojë në detyrën e Drejtorit të Arsimit z. Altin Shima, i cili deri tani ka qenë Drejtor i Medresesë së Korçës dhe Myfti i Rrethit Kolonjë, Ersekë.

Ai ka një përvojë disa vjeçare në fushën e arsimit, si arsimtar dhe drejtues i lartë, si dhe është i pajisur me kualifikimin fetar dhe laik.

Sakaq, Ilir Vokshi lirohet nga detyra e Myftiut të Tiranës dhe vazhdon detyrën si Myfti i Rrethit Durrës, e cila është një myftinj e madhe me problematika të shumta.

Kurse Hafiz Shaban Saliaj rikonfirmohet Myfti i Rethit Tiranë dhe Bilal Teqja emërohet ndihmës myfti i Tiranës.

Duke u bazuar në nenin 25 të Statutit të KMSH-së dhe Rregulloren e Brendshme të saj, si dhe duke ndjekur zhvillimet e kohës dhe duke parë rëndësinë e medias dhe marrëdhëniet me publikun, KMSH vendosi të krijojë Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe Median.

Me këtë rast KMSH vendosi dhe që të emërohet në detyrën e Drejtorit të Marrëdhënieve me Publikun dhe Median z. Agron Hoxha, i cili ka një eksperiencë të gjatë në fushën e medias, ka mbaruar medresenë dhe Universitetin për Media dhe Radio Televizion, si dhe prej shtatë vjetësh është kryeredaktor i Gazetës Drita Islame. Krahas Detyrën e Drejtorit të kësaj drejtorie do ta kryejë së bashku me atë të kryeredaktorit.

e.r/NOA

KOMENTE