English

Në Kabul, një kandidate femër përpiqet të fitojë vota

Nga Muhamed Tahir & Charles Recknagel

Gul Shirin Beg Turkmen nuk duket si një fituese e sigurt e një vendi në Parlamentin e Afganistanit kur të mbahen zgjedhjet më 18 shtator. Mirëpo, ajo ka një përkushtim që detyron çdokënd të mendojë dy herë për mundësitë e saj.

Në zgjedhjet parlamentare afgane, kandidatët nuk garojnë nëpër rajone të veçanta dhe për këtë ata tentojnë të mbledhin sa më shumë vota në të gjithë qytetin. Megjithatë, Shirin Beg, e cila është në fillim të të 30-tave, sapo ka mbaruar Fakultetin e Farmacisë në Stamboll dhe nuk është e lidhur me asnjërin nga grupimet e mëdha politike të Afganistanit. Ajo po shkon derë më derë për të kërkuar vota në një qytet që nuk ka një traditë të tillë të garës zgjedhore. “Unë do shkoj nëpër shtëpi një nga një të bëj fushatë. Unë dua t’i shoh se cilat janë problemet e njerëzve. Populli i Afganistanit ka shumë probleme. Për këtë arsye unë shkoj derë më derë”, thotë Shirin Beg.Gratë afgane, të habitura për vizitën e saj në shtëpinë e tyre, çuditen që një kandidate ka zgjedhur lagjen e tyre që është një nga më të vafrat dhe tërësisht e injoruar nga kandidatët e tjerë. “Po, pse të mos e votoj? Kandidatet femra janë më të mira se meshkujt. Unë e di këtë sepse femrat kanë fuqi dhe kurajë. Meshkujt nuk ishin në gjendje që të bëjnë diçka dhe ata nuk na dëgjuan fare neve”, thotë njëra nga gratë e shtëpisë që kandidatja femër e ka vizituar. Shirin Beg që 4 muaj po bën fushatë në lagjet më të varfra të Kabulit, përfshirë edhe lagjen Shahr Kona. Aty mungojnë rrugët e asfaltuara dhe kanalizimet, ndërsa plehrat gjenden ngado. Banori më i vjetër i lagjes, Muhammed Zahir, thotë se askush nuk ka bërë diçka të ngjashme me atë që po e bën Shirin Beg. “Ju po pyesni nëse dikush ka ardhur këtu që të mësojë më shumë rreth situatës sonë? Përgjigjja ime është ‘jo’. Rrugët janë përplot pluhur dhe plehra. Fëmijët tanë janë të sëmurë. Edhe ne jemi të sëmurë. Askush nuk pyet për ne. Ne nuk kemi as ujë të pijshëm”, thotë banori më i vjetër i lagjes.

Gul Shirin Beg Turkmen

Shirin Beg, edhe para se të fillonte fushatën, ka ndihmuar disa lagje të varfra me ndërtimin e kanalizimeve, ndërsa katër vëllezërit e saj kanë marrë në punë banorë të këtyre lagjeve në bizneset e tyre. Kjo kandidate femër afgane gjithashtu ka kontribuar edhe në shtimin e numrit të votuesve, pasi ka bindur anëtarët meshkuj të familjeve të 500 grave afgane që të lejojnë regjistrimin e tyre dhe më pas edhe të votojnë, kur të mbahen zgjedhjet më 18 shtator. Atë ditë do të shihet edhe nëse e gjithë kjo strategji e saj, tërësisht e pazakontë, do t’i shpaguhet apo jo...

RFE

KOMENTE