English

Pasqyra e Shtypit, 15 shtator 2010

Tiranë, 15 shtator, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Mërkurë, 15 shtator 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.

Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme reagimin e ministrit të shkarkuar Dritan Prifti, se për dorëheqjen e tij është kërcënuar me vdekje. Ato paraqesin edhe takimet e djeshme në Athinë të dyshes Dule-Bollano për çështjet e minoritetit grek. Ndërkaq, një argument tjetër i të përditshmeve sot është edhe ai i raporteve diplomatike mes Shqipërisë dhe Serbisë, ku citohen akuzat e opozitës se ne u kemi dhënë serbëve informacione sekrete të NATO-s.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Prifti: Më kërcënuan se do më vrasin”, i cili citon faktin sesi ministri i shkarkuar i LSI-së duke rrëfyer prapaskenat, ka thënë se u kërcënua me vdekje nëse nuk dorëhiqej nga detyra.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Pasaportat për emigrantët, hapen zyra në Romë dhe Milano”.

“Dëshmia e Berishës për vrasjen e Azem Hajdarit, tregoi emrat e vrasësve pak minuta më pas”, është një artikull që citon detaje nga dëshmitë e dhëna 12 vjet më parë për vrasjen “Hajdari”.

“PS: Qeveria i ka dhënë Serbisë informacione sekrete të NATO-s” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Gazeta “Panorama” publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Presidenti firmos/ Prifti: Më kërcënuan me jetë”, i cili tregon reagimin e ministrit Prifti, lidhur me atë që i ndodhi papritur ndërsa varroste gjyshen.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Dule dhe Bollano takojnë Papandreun: Strategji e re kundër çamëve”.

Ndërkaq, lidhur me heqjen e vizave, në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titullin “Basha në Bruksel/ Komisioni Evropian: Shqipëria progres për vizat”.

Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Hetimi/ Prokuroria, ballafaqim mes Tartarit dhe Tan Leprit për rryshfetin 20%”.

“Gazeta Shqiptare” ka si titull kryesor të saj “Sekretet e NATO-s, qeveria ia ka dhënë Serbisë”, i cili tregon sesi deputetët e opozitës kanë ngritur akuzë ndaj qeverisë se ajo i ka dhënë informacione sekrete palës serbe.

“Gjyqtari i Azem Hajdarit kundër Fatmira Hajdarit për rihetimin”, është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje i cili i referohet vrasjes së shekullit.

Ndërsa në një artikull të veçantë në këtë të përditshme do të lexoni atë me titull “Kristo Frashëri: Simpoziumi për Himarën në Tiranë, duhet bojkotuar”.

“Arrestohet SHIK-asi i dënuar përjetë” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë, referuar arrestimit në SHBA të Marjan Rrokut.

Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “Rama: Sot publikojmë sekserët e qeverisë”, i cili tregon paralajmërimin e opozitës mbi publikimin sot të skandaleve të reja qeveritare dhe sekserët që operojnë në interes të saj.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Kreshnik Spahiu: Të ndryshojmë Kushtetutën e kohëve të kaluara”.

Ndërsa çështja “Vokshi” mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “Tartari-Selmanllari-Lepri, ballafaqim në prokurori”.

“Arben Ristani: Mosdjegia e fletëve, shpërdorim detyre” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor “KQZ: Fletët e votimit, djegia nis më 1 tetor”, i cili i referohet pohimit të bërë nga kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me procesin e asgjësimit të fletëve të votimit të 28 qershorit.

Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Rrëfehet Prifti: Pse ika nga METE”.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Emigrantët/ Pasaportat e reja, do hapen sportele në konsullata”.

Ndërsa në rubrikën “kulturë” do të lexoni “Shqipëria është Kulturë, projekti shtrohet jashtë vendit”.

n.e/NOA

KOMENTE