English

PS: Kontrata e ish ekspozitës mes Arian Tartarit dhe pronarëve të truallit

Tiranë, 15 shtator, NOA – Selia rozë ka bërë publike sot kontratën e privatizimit të ish ekspozitës “Shqipëria sot”, një kontratë që dëshmon se edhe në privatizimin e këtij trualli me çmim disa herë më të ulët se trojet përreth tij, qëndron biznesmeni Arian Tartari, bashkëshorti i deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi dhe kompania e ndërtimit e Rahhman Selmanllarit Vizion Contruction.

Në një konferencë për shtyp, deputeti i PS-së, Eduart Shalsi deklaroi se kjo kontratë që socialistët kanë në dorë dhe që u është vënë në dispozicion mediave, mban datën e marsit të vitit 2008, disa muaj para se ish ministri i Ekonomisë, Genc Ruli të firmoste privatizimin e saj.

Sipas zotit Shalsi kontrata e privatizimit nxjerr lakuriq emrat e qeveritarëve të përfshirë në këtë aferë korruptive.

Kontrata, tha Shalsi, është firmosur mes Arian Tartarit dhe pronarëve të truallit.

“Ishin pikërisht këta emrat që prishën kontratën që kishte shteti me Top Channel, duke diktuar edhe çmimin e shitjes së truallit, disa herë më të lirë se trojet përreth”, nënvizoi deputeti socialist .

“Nuk ka fakt më domethënës se kjo për të shpjeguar kapjen e shtetit, nga qeveritarët e sotëm dhe njerëz shumë pranë kryeministrit, në kurriz të interesave të shqiptarëve, të cilët vetëm varfërohen”, vijoi zoti Shalsi.

Deputeti Eduart Shalsi, duke iu referuar deklaratave të ministrit Ruli, theksoi se “Ky nuk është një proces për të ndihmuar pronarët, por një aferë që ndihmon vetëm qeveritarët dhe interesat e tyre”.

Sipas tij, kjo është parajsa në të cilën lundrojnë këta qeveritarë, ndërkohë që popullin e kanë zhytur në varfëri.

Andaj tha deputeti Shalsi, shqiptarët duhet ta njohin të vërtetën e privatizimit të ish ekspozitës “Shqipëria Sot”, përmes këtij dokumenti privatizimi, të cilin socialistët e kanë tashmë në duart e tyre.

mit/NOA
KOMENTE