English

PS: Ligji i ri për mbrojtjen e investimeve të huaja, antikushtetues dhe klientelist

Tiranë, 15 shtator, NOA – Partia Socialiste është e thellësisht e shqetësuar nga iniciativa më e fundit e qeverisë Berisha për të miratuar një ligj që gjoja nxit dhe mbron investimet e huaja.

Kështu është shprehur në një deklaratë për shtyp, deputeti socialist, Damian Gjiknuri, sipas të cilit shqetësimi i socialistëve lidhur me hartimin e këtij ligji, i shprehur këto ditë me forcë në Kuvend, ka të bëjë me faktin se ligji “ka një frymë të thellë antikushtetuese dhe një frymëzim të pastër klientelist”.

“Ligji shkel haptazi barazinë përpara ligjit pasi sipërmarrësit shqiptarë diskriminohen përpara atyre të huaj”, tha mes të tjerash deputeti Gjiknuri.

Duke shtuar se ligji në fjalë sanksionon shpronësimin për interes privat dhe jo publik, pasi prona mund të shpronësohet në favor të investitorit të huaj.

Sikundër ky ligj i heq çdo mundësi praktike e ligjore shtetasit shqiptar për të mbrojtur pronën e tij përpara gjykatës pasi në çdo rast ajo i kalon investitorit të huaj.

“Ligji, i cili miratohet më shumicë të thjeshtë, ndërhyn në procedurat gjyqësore duke ndaluar gjykatën të përdorë mjetet e saj ligjore për një gjykim të drejtë, mjete këto që sanksionohet nga një ligj që kërkon shumicë të cilësuar. Ai sanksionon që edhe vendimi për dhënien e statusit special një investitori të huaj merret nga qeveria, jo për këdo dhe në mënyrë të fshehtë, duke ja lënë këtë në çmim të interesave subjektive”, shtoi Gjiknuri.

Duke thënë se ligji në fjalë nuk gjen asnjë model të ngjashëm për një shtet modern duke demonstruar qartë që politikat shtetërore në këtë vend po i ngjajnë gjithnjë e më shumë një sulltanati se sa një vendi që aspiron të behët pjesë e Bashkimit Evropian.

“Një numër kaq i lartë shkeljesh të kushtetutës vetëm në një ligj, dhe insistimi i mazhorancës për ta kaluar atë me çdo çmim pa marrë në konsideratë shqetësimet si të sipërmarrësve të vendit ashtu edhe publikut në përgjithësi, tregon qartë se ligji ka synime dhe interesa të qarta klienteliste. Pasi ky ligj do t’i krijojë mundësi klientëve të Sali Berishës që të shtien në dorë çdo pasuri që është vënë me kohë në shënjestër siç janë pronat në rivierën e jugut, në gjirin e Lalëzit, në Hamallaj apo kudo tjetër ku ka mundësi zhvillimi, dhe pronarët e vërtetë apo qytetarët që preken, nuk kanë më asnjë mundësi ligjore për të mbrojtur pronën në shtetin e tyre”, përfundoi deklararën e tij Gjiknuri.

n.e/NOA

KOMENTE