Tiranë, 15 shtator, NOA – “Eshtë koha që prokuroria të nisë hetimet për skandalin e privatizimit të ish-Ekspozitës nga ana e ministrit Genc Ruli, pasi përbën shembullin tipik të kapjes së shtetit nga interesat e pushtetit”.
Me një deklaratë të tillë, deputeti i Partisë Socialiste Saimir Tahiri, ka reaguar menjëherë pas deklaratave mbrojtëse të ministrit Ruli, se “kontrata për shitjen e ish- Ekspozitës nuk ka asgjë të jashtëligjshme”.
“ Ajo që sot shfaqet e qartë si drita e diellit për të gjithë shqiptarët, është se ky proces privatizimi për të ndihmuar gjasme pronarët, nuk do të kishte ndodhur kurrë sikur pas tij të mos ishin kasta e korruptuar e Saliut, Rulit, Vokshëve me sekserët e tyre Tartar dhe Selmanllar”, akuzoi Tahiri.
Duke shtuar se “sa për Genc Rulin, i cili përdori si i dehur raste dhe emra që nuk kanë lidhje gjëkundi me çështjen për të cilën duhet t’i japë llogari publikut, përmendja përçart e një frigoriferi tregon se sa shumë e ka nxehur kokën e ministrit prozhektori i transparencës”.
“Kur sheh Genc Rulin në batakun ku përpëlitet si i dëshpëruar, në llumin e korrupsionit dhe nxjerr nga goja broçkulla si sot, ka vetëm një gjë që mund të mendosh, kjo qeveri e korruptuar kokë e këmbë, duhet të largohet”, tha me nota të ashpra deputeti Tahiri.
Duke përfunduar me një pyetje direkte ndaj ministrit Ruli: A ke dhënë ndonjë tjetër koncesion për ndonjë familjar tjetër përveç Rajmonda Bulkut?”.
n.e/NOA