Tiranë, 15 shtator, NOA – Pas vendimeve të kohëve të fundit për ndalimin e kryerjes së prokurimeve në vlera të mëdha financiare, për një afat të caktuar kohor, qeveria ka marrë vendim në mbledhjen e saj të sotme për lejimin e disa institucioneve që të vazhdojnë t’i kryejnë normalisht ato.
Kështu, sipas vendimit përkatës të qeverisë, thuhet se “përjashtimisht, lejohen të gjitha autoritetet kontraktore të vijojnë normalisht kryerjen e procedurave të prokurimit, për të gjitha blerjet me vlerë më të vogël se 400 mijë lekë”.
“Lejohet Kuvendi si autoritet kontraktor, të vijojë normalisht kryerjen e procedurave të prokurimit për blerje materialesh, kontrata për shërbimin e internetit, si edhe shërbim celular për administratën e Kuvendit”, përcakton vendimi i qeverisë.
Sikundër, përjashtimisht është lejuar edhe ministria e Shëndetësisë, si autoritet kontraktor, të vijojë normalisht kryerjen e procedurave të prokurimit, për blerje materialesh, blerje vajguri për helikopterët, blerje vaksinash të rralla antirabike dhe sezonale etj.
Ndërsa drejtoria e Përgjithshme e Doganave, lejohet të vijojë normalisht kryerjen e procedurave të prokurimit, për blerje vulash metalike për maunet, plumbçe etj.
n.e/NOA