English

Qeveria shkurton me 35 milionë lekë fondet për shpenzime të institucioneve

Tiranë, 15 shtator, NOA – “Gërshërët” e qeverisë kanë realizuar shkurtime në fondet publike që u takojnë atyre nga buxheti i shtetit 2010, ku konkretisht, 35 milionë lekë është shuma e shkurtimit të fondeve të caktuara për shpenzime kapitale në institucionet qeveritare.

Një vendim i tillë është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, ku në kuadrin e rishpërndarjes së fondeve në buxhetin e vitit 2010, janë kryer edhe disa shtime për institucione të veçanta.

Kështu, ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në programin buxhetor “Arsimi profesional” i është zbritur fondi prej 15 milionë lekësh për zërin “Shpenzime korrente”, ndërsa i është shtuar një fond prej 35 milionë lekësh për zërin “Shpenzime kapitale”.

Nga ana tjetër, qeveria ka marrë vendimin për pakësimin me 300 milionë lekë të fondit të caktuar për “Shërbimet e kujdesit dytësor” të ministrisë së Shëndetësisë, konkretisht për zërin “Të tjera transferime korente të brendshme”.

Ndërkaq, qeveria këtë shumë ia ka shtuar kategorisë të “Shërbimeve të kujdesit parësor”, konkretisht në zërin “Të tjera transferime korente të brendshme”. n.e/NOA

KOMENTE