English

“Shpërthen” kreu i KMSH: Ata që vranë Sali Tivarin duan të më shkarkojnë nga detyra

“Shkarkimi nga detyra në mbledhjen e Kryesisë”, deklarata e plotë e kreut të KMSH, Selim Muça

Tiranë, 15 Shtator 2010 NOA Update – Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar (KMSH) Haxhi Selim Muça konfirmoi sot se ai vijon të jetë drejtuesi i institucionit edhe pas mbledhjes së sotme të Kryesisë.

“Jam në krye të detyrës konform rregullave”. Ishte pohimi që u bë nga vetë z.Muça pas disa deklarimeve jozyrtare që u publikuan pasditen e sotme.

Por më pikantja e deklaratës ishte akuza: “Forca te errëta pasi patën larguar ish-kryetarin pak vite më parë në rrethana misterioze realizuan vrasjen në zyrë të ish-sekretarit të përgjithshëm të ndjerit Salih Tivari, tani po mundohen të largojnë me dhunë dhe kërcënime kryetarin legjitim të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë”.

Muça siguroi se “për personat që kanë organizuar këtë kaos në institucion, kryesia e KMSH do të marrë masa në bazë të statutit dhe rregullores së brendshme të KMSH”.

Më poshtë vijon deklarata e plotë:

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Në normalitet të plotë Kryesia ka zhvilluar mbledhjen e saj duke vazhduar me rendin e ditës pikë për pikë sipas parashikimit. Megjithëse të lajmëruar për të marrë pjesë në këtë mbledhje dhe megjithëse ndodheshin në selinë e KMSH Sekretari i Përgjithshëm Betim Truçi dhe ish myftiu i Tiranës Ilir Vokshi kanë bojkotuar mbledhjen duke cënuar rëndë statutin e KMSH dhe rregulloren. Nga ana tjetër, pa asnjë baze statutore dhe juridike këto elemente, të shoqëruar nga pak militantë të tyre, në kundërshtim të plotë me statutin dhe çdo rregullore si edhe duke shkelur hapur me insistim çdo parim juridik, moral e fetar kanë nxjerrë në pah haptazi ambiciet e tyre me te ulëta për uzurpim me dhune te institucionit, duke u vetëshpallur drejtues te institucionit.

Bëjmë me dije të gjithë opinionin publik, se këta elementë nuk kane asnjë lloj atributi, kompetence apo të drejte për asnjë lloj vendimmarrje dhe se te ashtuquajturat takime dhe te ashtuquajturit vendime të dy apo tre anarkistëve nuk kanë kurrfarë baze as vlefshmërie. Këto grupime te pamandatuara nga forumet përkatëse nuk munden kurrsesi të zëvendësojnë forumet e mandatuara në mirëfunksionim te plotë.

Kryesia e Komunitetit Musliman shqiptar si edhe Kryetari i KMSH, me maturi e kulturë qytetare, të përgjegjshëm për misionin fisnik fetar e mbarëkombëtar, janë në krye të detyrës me mandatin, kompetencat dhe fuqinë ligjore. Janë këto forume të cilat kanë te drejtën ligjore për marrjen e vendimeve dhe organizimin e mbarëvajtjes se aktivitetit në këtë institucion. Çdo takim tjetër, nuk i shërben asgjëje përveç përmbushjes se ambicieve te papërmbajtura, nuk i shërben asgjëje përveç anarkisë dhe kaosit qe përpiqen te provokojnë këto elemente ekstremiste, destabilizues e intrigante te cilët kanë për synim vetëm të shkatërrojnë këtë institucion te rëndësishëm, te ngritur me kaq mund e djersë në të mirë të besimit islam dhe vendit.

Këta individë, vazhdimisht ushtrojnë presion në mënyra të ndryshme mbi instancat e institucionit tonë, duke paralizuar dhe penguar me të gjitha mënyrat mbarëvajtjen e funksionimit të Komunitetit Mysliman.

Këta persona ditën e sotme, duke u mbledhur në mënyrë të paligjshme dhe ilegale, sipas tyre kanë marrë disa vendime antistatutore dhe antiligjore, duke tejkaluar çdo normë institucionale, morale dhe islame.

Vendimet nga ana e tyre nuk kanë asnjë bazë. Kryetari i KMSH-së është në krye të detyrës i zgjedhur nga Këshilli i Përgjithshëm me mandat ligjor dhe nuk do ta braktisë detyrën e tij për egon dhe ambicien e disa individëve karrieristë dhe destruktivë.

Konkretisht ky grup kryesohet nga sekretari i përgjithshëm Betim Truçi, myftiu i Durrësit, Ilir Vokshi, Bujar Topçiu, myftiu i Kukësit Ali Hallaçi, dhe disa persona të tjerë destruktivë.

Për personat që kanë organizuar këtë kaos në institucion, kryesia e KMSH do të marrë masa në bazë të statutit dhe rregullores së brendshme të KMSH.

Fatkeqësisht, forca te errëta pasi patën larguar ish-kryetarin pak vite më parë në rrethana misterioze realizuan vrasjen në zyrë të ish-sekretarit të përgjithshëm të ndjerit Salih Tivari, tani po mundohen të largojnë me dhunë dhe kërcënime kryetarin legjitim të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, lutem që Paqja dhe Mirësia e Allahut Fuqiplotë të ndriçojë mendjet dhe zemrat e të gjithëve ne.

Me respekt,

Kryetari

H. Selim Muça

FUND

Ndërkohë, Kryesia e KMSH-së (Komuniteti Mysliman Shqiptar) në mbledhjen e sotme në kuadër të mbarëvajtjes së punëve në institucion ka miratuar disa ndryshime, që lidhen me drejtimin e saj.

Kështu KMSH vendosi që z. Bujar Spahiu të lirohet nga detyra e Drejtorit të Arsimit por ai vazhdon detyrën e nënkryetarit të KMSH-së.

Institucioni që drejton fenë islame në vend vendosi të emërojë në detyrën e Drejtorit të Arsimit z. Altin Shima, i cili deri tani ka qenë Drejtor i Medresesë së Korçës dhe Myfti i Rrethit Kolonjë, Ersekë.

Ai ka një përvojë disa vjeçare në fushën e arsimit, si arsimtar dhe drejtues i lartë, si dhe është i pajisur me kualifikimin fetar dhe laik.

Sakaq, Ilir Vokshi lirohet nga detyra e Myftiut të Tiranës dhe vazhdon detyrën si Myfti i Rrethit Durrës, e cila është një myftinj e madhe me problematika të shumta.

Kurse Hafiz Shaban Saliaj rikonfirmohet Myfti i Rethit Tiranë dhe Bilal Teqja emërohet ndihmës myfti i Tiranës.

Duke u bazuar në nenin 25 të Statutit të KMSH-së dhe Rregulloren e Brendshme të saj, si dhe duke ndjekur zhvillimet e kohës dhe duke parë rëndësinë e medias dhe marrëdhëniet me publikun, KMSH vendosi të krijojë Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe Median.

Me këtë rast KMSH vendosi dhe që të emërohet në detyrën e Drejtorit të Marrëdhënieve me Publikun dhe Median z. Agron Hoxha, i cili ka një eksperiencë të gjatë në fushën e medias, ka mbaruar medresenë dhe Universitetin për Media dhe Radio Televizion, si dhe prej shtatë vjetësh është kryeredaktor i Gazetës Drita Islame. Krahas Detyrën e Drejtorit të kësaj drejtorie do ta kryejë së bashku me atë të kryeredaktorit.

e.r/NOA

KOMENTE