Tiranë, 15 shtator, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në një takim Kryetarin e Gjykatës së Lartë të Turqisë, Hasan Gerçeker dhe delegacionin që e shoqëronte atë.
Zonja Topalli i tha kryetarit Gerçeker, se “kishte ardhur momenti për një vizitë të këtij niveli të lartë në sistemin e drejtësisë, si një mundësi për të ngritur edhe më lart bashkëpunimin mes dy vendeve, në këtë fushë".
Dy autoritetet e larta ndanë të njëjtin vlerësim për marrëdhëniet e shkëlqyera, që kanë Shqipëria dhe Turqia në të gjitha drejtimet si dhe përshëndetën rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave në pushtetin e gjyqësorit.
Kryeparlamentarja Topalli theksoi se “Drejtësia ka sfida të mëdha dhe se për të thelluar reformat në drejtësi është thelbësor bashkëpunimi mes pozitës dhe opozitës në Parlament”.
Andaj në këtë kontekst, kërkohet, tha zonja Topalli, integritet i fortë për të fituar sfidat që ka ky sistem.
Kryetari i Gjykatës së Lartë të Turqisë Hasan Gerçeker vlerësoi ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri, ndryshime të ndodhura në një kohë shumë të shkurtër.
mit/NOA