English

ZMK, debat publik për licencën 3G dhe konkurrencën e lirë

Tiranë, 15 shtator, NOA - Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve (ZMK), organizon sot një debat publik për licencën 3G në tregun celular dhe konkurrencën e lirë në këtë treg në përgjithësi. Drejtuesit e saj argumentojnë se e kanë ndërmarrë një nismë të tillë, në kuadër të mbrojtjes së interesit të konsumatorëve të shërbimit të telefonisë celulare dhe mos favorizimit të një mjedisi monopoli. “Ne konsiderojmë se një vendim i mundshëm i AKEP për të dhënë një licencë të vetme 3G do të dëmtojë interesat e konsumatorëve dhe do të krijojë monopolizim në treg”, është qëndrimi i ZMK-së lidhur me këtë çështje. Duke shtuar se rrjeti 3G është një standard i lartë i teknologjisë së informacionit që shpreh standardet e larta, të cilat po i plotëson Shqipëria në shërbim të konsumatorëve dhe zhvillimit të teknologjive të informacionit në vend. Vetë përfaqësuesit e 4 kompanive celulare në vend, kanë konsideruar me anë të një deklarate të pak ditëve më parë se “dhënia e katër licencave 3G në të njëjtën kohë do të sjellë një shumëllojshmëri të produkteve dhe shërbimeve me çmime më konkurruese për qytetarët” dhe “futja e rrjetit 3G do të ishte më e shpejtë për mbulimin e të gjithë territorit të vendit”. Porse Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve, konsideron se ky proces ka nevojë për një informim të publikut dhe një proces transparent si dhe konsultime publike me konsumatorët shqiptarë që nuk janë të informuar dhe as të përfaqësuar në të. n.e/NOA

KOMENTE