Tiranë, 15 shtator, NOA – Me ftesë të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, zhvilloi një vizitë zyrtare pranë Bankës së Shqipërisë, Lars Nyberg, zv/guvernator i Bankës së Suedisë (Sveriges Riksbank).
Gjatë takimit, diskutimet u fokusuan në zhvillimet ekonomike, ku guvernatori Fullani e njohu Nyberg me ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe veçanërisht me atë të sistemit bankar.
Fullani paraqiti masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për një mbikëqyrje të kujdesshme të sistemit bankar, si dhe bëri një përshkrim të kuadrit të politikës monetare në Shqipëri.
Gjithashtu, ai theksoi politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
Nga ana e tij, Nyberg falënderoi Guvernatorin Fullani për ftesën e bërë, ndërsa kjo është vizita e dytë zyrtare e tij në Shqipëri.
Nisma e ndërmarrë pak vite më parë nga Banka e Shqipërisë për thellimin e dialogut ndërmjet bankave qendrore të rajonit dhe Bankës Qendrore Evropiane ka pasur edhe përkrahjen e Bankës së Suedisë.
Një nismë e tillë ka ndihmuar këto banka në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ).
Gjithashtu, Banka e Suedisë ka ndihmuar në dhënien e asistencës teknike me qëllim përgatitjen e Bankës së Shqipërisë në procesin e përafrimit me SEBQ-në.
n.e/NOA