English

Bisedimet me Serbinë, Prishtina: Të jenë të pranishme në proces përveç BE-së edhe SHBA-të

Prishtinë, 16 shtator, NOA – Ndërsa duket se ndërmjetësi në bisedimet e ardhshme mes Serbisë dhe Kosovës do të jetë Bashkimi Evropian, një atribut që komuniteti e mori pas miratimit të rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në 9 shtator, zyrtarë të lartë të Prishtinës kanë deklaruar se nuk do të hyjnë në bisedime me Serbinë në rast se Shtetet e Bashkuara nuk përfshihen në këtë proces.

Ka qenë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi i cili ka thënë se roli i SHBA-ve në bisedimet për Kosovën është i pazëvendësueshëm.

Andaj sipas tijh, Kosova po punon me mekanizmat ndërkombëtarë me synimin që SHBA-të të jenë pjesë e diskutimeve, si një garanci për mbrojtjen e çështjes së Kosovës.

Zëvendës shefi i ekzekutivit të Kosovës, theksoi ndër të tjera se zgjidhja e pranueshme për bisedimet do të ishte uniteti SHBA-BE.

Duke qenë se SHBA-të kanë qenë gjithnjë të përfshira në mbrojtjen e çështjes së Kosovës, qysh në vitet ’90, edhe partia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kërkon që Kuvendi i Kosovës të kërkojë që në bisedime të jetë e pranishme edhe pala e SHBA-ve.

“Mendoj se ndikimi kryesor për ndryshimin e rezolutës në OKB dhe për harmonizimin mes BE-së dhe Serbisë, ka qenë kryesisht i SHBA-ve dhe presioni është bërë nga SHBA-të për tërheqjen e rezolutës dhe për aprovimin e rezolutës së miratuar në OKB, tha anëtari i kësaj Partie, Ahmet Isufi.

Pas miratimit të rezolutës së Serbisë, pas takimit Tadiç Ashton, të mërkurën e shkuar ende nuk është bërë publik formati i bisedimeve as koha e zhvillimit të bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës, as temat për të cilat do të diskutohet.

mit/NOA
KOMENTE