Bruksel, 16 shtator, NOA – “Nuk mendoj se Greqia do të bllokojë dhe do të mbajë qëllime bllokuese ndaj proceseve integruese të Shqipërisë”. Me këtë deklaratë nga Brukseli, kryeministri Sali Berisha i ka dhënë përgjigje deklaratave të kryeministrit grek Jorgos Papandreu, bërë në Panarin e Selanikut disa ditë më parë ku ka kërkuar mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.
Deklaratat e kryeministrit grek erdhën për shkak të vdekjes me një aksident të qëllimshëm të himarjotit me kombësi greke, Aristidh Guma, për të cilën shefi i ekzekutivit grek mendon se ishte një incident i shkaktuar nga akte të nacionalizmit shqiptar kundër minoritetit grek në Shqipëri, një nacionalizëm që sipas zotit Papandreu është në rritje në Shqipëri dhe se ka edhe mbështetje politike.
Në këtë kontekst kryeministri Berisha i përgjigjet deklaratave të homologut të tij grek duke i thënë se Greqia nuk mund të bllokojë proceset itegruese të Shqipërisë, pasi sipas tij, shteti helen ka qenë një factor që nxiste proceset integruese në Ballkan”.
“Me Greqinë ka një problem jo recent, ka një problem që ka mbetur që nga koha e marrëveshjeve, që janë bërë shumë vite përpara. Por në tërësi Greqia ka qenë një faktor që ka nxitur proceset integruese rajonale”, nënvizoi në komentin e tij nga Brukseli, shefi i ekzekutivit shqiptar.
Duke iu referuar frymës së bashkëpunimit në rajon dhe jo asaj të bllokimit për zgjidhjen e problemeve, kryeministri Berisha tha ndër të tjera se “ Mos harrojmë që deklarata më mbështetëse për gjithë Ballkanin është bërë në Selanik, kështu që unë nuk mendoj se problemet mund të zgjidhen në këtë frymë dhe se kjo frymë ekziston në qeverinë greke”.
Gjatë deklaratës së disa ditëve më parë, kryeministri grek, Jorgos Papandreu tha se incidenti në Himarë ku humbi jetën 35 vjeçari nga Himara, me origjinë greke, Aristidh Guma se ishte një aksident i shkaktuar nga nacionalizmi.
Ishte pikërisht kjo arsyeja që zoti Papandreu i kërkoi shtetit shqiptar të mbrojë interesat e minoritetit grek që jeton në Shqipëri, pasi në rast të kundërt, Greqia do të bllokonte procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
mit/NOA