Cesena, 16 shtator, NOA – Ndërsa menaxheri i një lokali dhe gruaja e tij ishin duke mbyllur lokalin e tyre në Cesena të Italisë, tre klientë të dehur po u kërkonin ende për të pirë.
Bëhet fjalë për tre tunizianë, të cilët përmes fyerjesh, u kërkonin mos ta mbyllnin lokalin dhe t’u shërbenin atyre deri sa të dëshironin.
Por një gjë e tillë duket se nuk u ka pëlqyer tre klientëve shqiptarë të cilët ndodheshin aty për momentin, të cilët menjëherë i kanë dalë në mbrojtje çiftit italian të lokalit.
Pronari duke mohuar kërkesën e tunizianëve të dehur për t’u dhënë për të pirë, ka pësuar goditje prej tyre dhe shkelma.
Por menjëherë kanë ndërhyrë tre klientët shqiptarë, të cilët e kanë qetësuar sherrin dhe kanë mundur të shpëtojnë çiftin italian nga përkeqësimi i sherrit dhe sulmit ndaj tyre.
Ndërkaq, arritja e karabinierëve italianë në vendngjarje bëri që tre tunizianët e dehur të vihen menjëherë në pranga, ndërsa për tre shqiptarët u dhanë lavdërime.
n.e/NOA