Tiranë, 16 shtator, NOA/Milena Selimi - Në galerinë “Zenit” është hapur ekspozita e arkeologut, historianit, studiuesit, Moikom Zeqo.
“Kuajt e Suiftit” është grishja e radhës për artistin që sjell 63 piktura në ambientet e kësaj galerie, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datën 21 shtator.
Pikturat na përballin me ciklet e kuajve, të nudove, ciklet mitologjike dhe portretet e shkrimtarëve.
Zeqo e ka quajtur kështu ekspozitën jo vetëm se numri më i madh i pikturave i takojnë këtij cikli, por edhe pse koncepti që i ka krijuar bazohet në motivin e kuajve, grishje e autorit Xhonatan Suift nga libri “Udhëtimet e Guliverit”.
Është një vepër që ai e vlerëson një nga "më emblematiket e njerëzimit, e shkruar nga një shkrimtar gjenial dhe i papërsëritshëm".
I njohur si poet dhe prozator, subjektet e tij janë tregime të shpirtit, përrallore, ekzistenciale dhe mistike. Sigurisht, proza e tij është një prozë që nuk ngjan me prozat e kolegëve prozatorë, është një prozë e ngjashme me vetveten.
Kështu prezantohet edhe në pikturë, ku Zeqo i rrotullon botët dhe ngjarjet në një vërtitje impresionuese, duke na treguar se ai e njeh sekretin e universalitetit të subjekteve.
m.s/n.e/NOA