Shkup, 16 shtator, NOA - Partitë politike në Maqedoni kanë vazhduar mospajtimet dhe kritikat e tyre lidhur me regjistrimin e popullsisë që do të mbahet vitin e ardhshëm.
Partitë opozitare shqiptare janë të pakënaqura lidhur me datën e mbajtjes së regjistrimit, procesin e realizimit teknik, duke shfaqur dyshimet për mundësinë e manipulimit me numrin e popullsisë.
Ndërkohë, VMRO-DPMNE dhe BDI javën e kaluar arritën një marrëveshje që regjistrimi të realizohet nga Komisioni Shtetëror i Regjistrimit (KSHR) në bashkëpunim me Entin Shtetëror të Statistikave (ESHS), duke përfshirë edhe një monitorim sipërfaqësor nga Eurostat, institucioni i BE-së për statistika.
Zëdhënësi i DR-së, Arianit Hoxha vlerësoi se partia e tyre e konteston rolin e Komisionit Shtetëror për Regjistrim dhe periudhën e realizimit të regjistrimit.
“Cili është roli i atij komisioni prej 20 anëtarëve, kur dihet se regjistrimin e udhëheq Enti Shtetëror i Statistikave. Ne gjithashtu jemi të pakënaqur edhe me periudhën e realizimit, ku në vend që të kryhet regjistrimi gjatë muajve të verës, ai po ndodh në muajin prill”, ka theksuar zëdhënësi Hoxha, duke shtuar si çështje problematike edhe mungesën e kuadrove shqiptare në ESHS.
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka paralajmëruar se regjistrimi po zhvillohet në një periudhë kur shumica e shqiptarëve akoma nuk kanë realizuar të drejtën e shtetësisë, mungesa e diasporës shqiptare në vend në periudhën kur do të zhvillohet regjistrimi si dhe mundësia e manipulimeve tjera.
Në rast se nuk do të evitohen gjitha problemet e krijuara që ndikojnë në numrin e përgjithshëm të popullsisë, gjegjësisht shqiptarëve , atëherë PDSH-ja ka paralajmëruar se do të ftojë qytetarët që të bojkotojnë regjistrimin.
Partia Liberal – Demokrate (PLD) opozitare është e pakënaqur lidhur me marrëveshjen e arritur midis partive të koalicionit për regjistrimin.
“Ky projekt fillon nëpërmjet partive politike dhe kjo nuk është në rregull që paralajmëron se sa do të jenë shifrat e popullsisë. Gjithashtu është e paqartë se kush do të jenë anëtarët e atij komisioni që do të monitorojnë dhe realizojnë regjistrimin”, ka theksuar deputeti i PLD-së, Andrej Zhernovski.
Partia më e madhe opozitare LSDM ka kërkuar që të mos politizohet procesi i regjistrimit, mirëpo duket paralajmëruar që ai të zhvillohet në interes të qytetarëve.
NOA-INA