English

Ministri Nishani pret Kryetarin e Gjykatës së Lartë të Turqisë, Hasan Gerçeker

Tiranë, 16 shtator, NOA - Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani priti sot Kryetarin e Gjykatës së Lartë të Turqisë, Hasan Gerçeker, i cili ndodhet prej disa ditësh për vizitë në Tiranë.

Duke iu referuar edhe bashkëpunimit të rëndësishëm mes Ministrisë së Drejtësisë turke dhe asaj shqiptare si dhe bashkëpunimin mes Gjykatave të Larta të dy vendeve, Ministri Nishani, theksoi se qeveria shqiptare ka si prioritet të saj përmirësimin e infrastrukturës së Gjykatave si dhe profesionalizimin e administratës së tyre.

Ministri Nishani e informoi zotin Gerçeker, për shtrirjen e sistemit dixhital në gjykata, arkivën elektronike të dosjeve civile dhe penale, prurjet e reja të gjyqësorit me juristë të shkollës së Magjistraturës si dhe rritjen e pagave të gjyqtarëve.

Sipas zotit Nishani, arritja më e madhe është se sot për sistemin e drejtësisë nuk ka më akuza, për ndodhjen e tij nën presionin e politikës.

“Kemi akuza që lidhen me çështje të korrupsionit, por pjesa më e madhe e gjyqtarëve i takojnë grupit të personave me dinjitet”, nënvizoi sakaq ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani.

Ndërsa, Kryetari i Gjykatës së Lartë të Turqisë, Hasan Gerçeker tha se “ndarja e pushteteve në demokraci është themelore dhe se Shqipëria duket se ka bërë përparime të mëdha në këtë drejtim”.

“Ministri i Drejtësisë ështe peshorja, që mban balancën mes dy organeve, ekzekutivit dhe gjyqësorit ndaj dhe detyra juaj është shumë e rëndësishme dhe duket se ia keni arritur”, mësohet të jetë shprehur në këtë takim, kreu i Gjykatës së Lartë turke, për ministrin Nishani.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin dhe eksperiencën e shkëmbyer në këtë takim.

mit/NOA
KOMENTE