English

Mitrush Kuteli, “Nderi i Kombit”, 43 vjet pas vdekjes

Tiranë, 16 shtator, NOA – 43 vjet pas vdekjes rrëfimtari i madh shqiptar Dhimitër Pasko, i njohur nga të gjithë me pseudominin e tij letrar Mitrush Kuteli dekorohet nga Presidenti i Republikës me Urdhrin "Nderi i Kombit”.

Ky urdhër përkon edhe me përvjetorin e 103-të të lindjes së tregimtarit tonë të madh, i përkujtuar nga familjarët e tij vetëm tri ditë më parë.

Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar në presidencë ishin të pranishëm Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj, shkrimtarë, përkthyes, studiues e akademikë të njohur në fushën e letërsisë shqipe, familjarë, miq e të afërm.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, Presidenti i Republikës i dorëzoi urdhrin e lartë Pandeli Paskos, djalit të shkrimtarit të madh.

Me dhënien e këtij urdhri të lartë Presidenti Topi shprehu vlerësimin dhe nderimin më të lartë të shtetit shqiptar për "personalitetin e shquar në lëvrimin e artit poetik dhe modernitetin e prozës shqipe, mjeshtrin e përkthimit të kryeveprave të letërsisë botërore në gjuhën shqipe, kritikun me stil dhe këndvështrim origjinal në trajtimin e shumë dukurive letrare”.

Djali i Dhimitër Paskos, Pandeliu, shprehu sakaq mirënjohjen e thellë për këtë nderim të lartë që sipas tij “i dha fund odisesë së dekorimit të Kutelit, një ëndërr e dëshiruar shumë nga populli dhe sidomos nga intelektualët e Pogradecit, të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë”.

Rrëfimtari që dashurinë për atdheun e ruajti edhe në vitet e vështira të diktaturës komuniste ishte shprehur asokohe se “Kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”. Kam qenë kundër rusëve sepse ata mbajnë nën vete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë”, shkruante Kuteli.

Edhe në fund të jetës Kuteli sipas atyre që e njohën rrojti si njeri në kuptimin më sublime të fjalës, duke dhuruar edhe në ato ditë shprehje të tilla që janë mësim edhe për këdo në ditët e sotme.

Ndër veprat e Kutelit shënjohen veprat “Rjedhin lumenjtë, “Vjeshta e Xheladin Beut”, “Lasgush Poradeci”, “Netë shqiptare”, “Pylli i gështenjave”, Tregime të moçme shqiptare, “Ago Jakupi e të tjera rrëfime”, “Sul e lotë”, “Xinxifillua”, e mjaft vepra të tjera, që shquhen për stilin e rrjedhshëm dhe magjinë e fjalës shqipe.

Në shqip nga dora e tij do të vinin të shqipëruara "Kujtimet e një gjahtari" të Turgenievit, “Tregimet e Petërburgut" dhe "Shpirtra të vdekura" të Gogolit si dhe “Zotërinj Gollovlinovë" të Sllatikov Shçedrinit.

mit/NOA
KOMENTE