Tiranë, 16 shtator, DW - Shqipëria ka adaptuar ligjin për medikamentet mjekësore dhe barnat në përputhje me direktivat e BE. Megjithë përpjekjet ka mangësi në zbatimin e tij. Kjo sjell praninë në treg të barnave të falsifikuara dhe të skaduara.
Prania në Shqipëri e barnave të falsifikuara dhe blerja e tyre vjen si pasojë e një reaksioni zinxhir. Hallka e parë e këtij zinxhiri është mungesa e barnave dhe medikamenteve mjekësore në spitalet publike, ku shkon të kurohet shumica dërrmuese e popullsisë. Në një studim të sapopublikuar të Organizatës Botërore të Shëndetësisë përfshihet edhe Shqipëria si një vend ku në treg ka barna të falsifikuara.
Anshu Benerjee, përfaqësues i OBSH, në Shqipëri thotë për DW: “Buxheti që kanë spitalet publike në dispozicion, jo gjithmonë lejon që ato të kenë barna dhe medikamente gjatë gjithë vitit, në depot e tyre. Prandaj pacientët shpesh duhet t'i blejnë vetë ato. Ata janë të interesuar t' i blejnë ato me një çmim sa më të lirë, mjaft më i ulët nga ai që i shesin farmacitë. Kombinimi i këtyre dy faktorëve – mungesa e barnave në spital dhe varfëria- bën të mundur që barna dhe medikamente të falsifikuara të hyjnë në treg dhe të blihen”.
Ligji konsideron barna të falsifikuara të gjitha ato që nuk kanë në përqindjen e përcaktuar rigorozisht substancën aktive që kuron por e kanë mjaft më të ulët, e kanë të gabuar dhe si rrjedhim nuk kanë efektin që pritet për të kuruar pacientët. Barna të tilla futen në Shqipëri në mënyrë ilegale, kontrabandë dhe prodhohen enkas për tregun shqiptar në kompani që ndodhen në Europë apo përtej Atlantikut. Pasi futen në mënyrë kontrabandë ato shiten jo në farmaci por në dyqane të tjera, ku inspektorët e Drejtorisë Kombëtare të Kontrollit të Barmave nuk i kontrollojnë.
Çfarë duhet bërë?
Fenomeni gjithsesi nuk është shqiptar por global. Sipas studimit të OBSH 10 përqind e barnave në nivel global janë të falsifikuara. Kjo presupozon zbatimin rigroz të ligjit, shtimin e kontrolleve dhe ndërgjegjësimin e njerëzve për të mos blerë barna dhe medikamente mjekësore me çmim të lirë jashtë farmacive dhe as nëpërmjet internetit. Fenomeni është bërë shqetësues për autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë në Tiranë. Por situata mund të ndryshojë përmes një sërë masash. “Para së gjithash është e rëndësishme që inspektorët e kontrollit të barnave të kontrollojnë në mënyrë rigoroze importin e barnave dhe të medikamenteve mjekësore dhe për këtë tanimë ekziston ligji. Përderisa barnat e falsifikuara hyjnë ilegalisht në Shqipëri duhet një bashkëpunim më i mirë se deri më sot me policinë kufitare, doganat.. Në këtë pikë ligji duhet forcuar që t'i japë kompetencat autoriteteve të kontrollit të barnave për të parë nëse barnat e falsifikuara hyjnë në treg., vë në dukje Banerjee.
Ndërkohë autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë në bashkëpunim me OBSH po hartojnë një strategji të re për të reduktuar fenomenin në të cilën përfshihet edhe ndërgjegjësimi i publikut që të mos blejë barna jashtë farmacive të licensuara për hir të çmimit të ulët.
Barnat e skaduara- një rrezik tjetër
Një tjetër fenomen përbën rrezik për shëndetin e njerëzve në Shqipëri: barnat dhe medikamentet mjekësore të skaduara. Burime zyrtare nga Drejtoria Kombëtare e Kontrollit të barnave pohojnë për DW se gjatë muajit të kaluar inspektorët e saj kanë propozuar që t'u hiqet licenca 7 farmacive që ndodhen në Tiranë, Fier, Elbasan për shkak të barnave të skaduara që ata gjetën në raftet e tyre.
Gjinofeva Gurga është farmaciste dhe pronare e farmacisë “Gurga” në Tiranë. Ajo thotë për DW se ligji duhet të jetë më i fortë se gjobitja për farmacitë ku inspektorët gjejnë barna që u ka kaluar afati. "Nëse gjendet që një farmaci shet ilaçe të skaduara, ky është gabim i madh. Bluzat e bardha duhet të jenë shumë korrekte.”
Ilaçe pa recetë dhe jo të ambalazhuara
Gjinofeva pranon se ajo shet ilaçe në farmacinë e saj edhe pa recetën e mjekut. “Japim pa recetë. Kemi listën e tyre, ku janë ato barna që përherë janë dhënë pa recetë. Por ne nuk bëjmë mjekun për barna jashtë kësaj liste”
Ajo pranon gjithashtu që shet edhe tableta jasht]ë kutisë së tyre por që janë të ambalazhuara secila më vete, pasi ata që i marrin nuk kanë para të blejnë gjithë kutinë. Si pasojë ata që blejnë në këtë mënyrë nuk marrin fletën shoqëruese ku përshkruhet përdorimi dhe efektet anësore të medikamentit. Një pjesë e tyre kërkojnë sqarime, një pjesë jo. Disa shikojnë pa dalë nga farmacia datën e skadencës, të tjerë janë indiferentë.
Në një situatë të tillë vetëm zbatimi i ligjit me dorë të hekurt do të sjellë shmangien e shitjes së barnave të falsifikuara dhe të skaduara dhe mbrojtjen e konsumatorëve- thotë Gjinofeva.
Deutsche Welle