English

PD: Pr/ligji për investimet e huaja, siguri për investitorët e huaj, Opozita: Diskriminon investitorët vendas

Tiranë, 16 shtator, NOA – Deputeti i Partisë Demokratike, Eduart Halimi ka mbrojtur sot në kuvend projektligjin për investimet e huaja, të debatuar nga opozita në komisionin e Ekonomisë si diskriminues sa i përket biznesit vendas.

Mazhoranca tha Halimi, e mbron këtë projektligj pasi ai i jep një garanci ligjore investimeve të huaja në vend.

“Shqipëria duhet të jetë vend atraktiv për investitorët e huaj”, theksoi deputeti i PD-së, duke shtuar se projektligji që po diskutohet në parlament i jep mbrojtje të posaçme investitorëve të huaj të interesuar për të investuar në vend.

Sipas mazhorancës ligji në fjalë është në përputhje me kushtetutën dhe ka mbajtur parasysh edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për barazinë përpara ligjit të bizneseve.

Në një seancë dëgjimore të mbajtur nga komisioni parlamentar i Ekonomisë me grupet e interesit projektligji për investimet e huaja është përkrahur nga Dhoma Kombëtare e Tregëtisë, ndërsa përfaqësuesit e konfederatave kërkuan që ky ligj të zgjerojë fushëveprimin e tij edhe në mbrojtje të biznesit vendas.

Por, opozita e kundërshton këtë projektligj, i cili sipas mazhorancës është i përkohshëm, me argumentet se ai bie në kundërshtim me nenet e MSA-së, pikërisht sepse projektligji në fjalë diskriminon biznesin vendas.

Oponencë ndaj projektligjit që mazhoranca e djathtë kërkon ta miratojë në seancën e sotme plenare, dolën deputetët e opozitës Erion Braçe, Ermelinda Meksi, Arben Ahmetaj dhe Saimir Tahiri.

Në këtë ide ishte e Konfindustria, administratori i të cilës, Gjergj Buxhuku tha një ditë më parë se ligji duke i hapur rrugë investitorëve të huaj në vend, diskriminon investitorët vendas duke bërë që kapitali shqiptar të investohet jashtë dhe prej andej të hyjë në Shqipëri.

mit/NOA
KOMENTE