Tiranë, 16 shtator, NOA – Në takimin e Komisionit të Udhërrëfyesve dhe shefave të shërbimeve, ku merrnin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Drejtori i QKCSAI-t, Isuf Kalo, drejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Ilir Dashi kërkoi nga shefat e pavijoneve të realizojnë protokollet e mjekimit dhe hartimin e tyre deri në 30 shtator.
Ky afat i vendosur nga shefi i QSUT-së erdhi pas raportimeve të bëra në këtë takim ku rezultuan se nga 45 shërbime, 31 prej tyre i kanë realizuar me sukses hartimin e protokolleve të mjekimit, ndërsa të tjerat ende jo, madje ato kanë nevojë për ndreqje në përmbajtjet e tyre.
“Të gjitha ato pavijone të cilat nuk kanë realizuar si duhet protokollet e mjekimit duhet të përfundojnë hartimin përfundimtar të tyre deri në 30 shtator”, tha drejtori Dashi.
“Ky është afati i fundit, në të kundërt do të ketë masa administrative për të gjithë ata që nuk i zbatojnë këto afate”, siguroi Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi.
Sipas tij, kjo është një detyrë e lënë nga kryeministri Berisha në kuadër të Reformës së ndërmarrë në fushën e Shëndetësisë.
Drejtoi i QKCSAI-t, Isuf Kalo theksoi se “Periudha e verës na ka bërë më të ngadaltë në punë, por për ne është e rëndësishme, që kjo të mos jetë më një sfidë, por një punë e realizuar nga ne të gjithë.
QSUT-ja bën të ditur se në mbledhjen e radhës, në fillim të muajit tetor do të përcaktohet edhe rruga që do të ndiqet për zbatimin e këtyre protokolleve të mjekimit tek pacientët.
mit/NOA