English

Sot festime në Pezë, skenë do të jetë qielli

Pezë, 16 shtator, NOA – Si për çdo vit, edhe këtë herë, Festa e Pezës, do të kalojë nën një situatë festive për të gjithë qytetarët e kryeqytetit dhe jo vetëm.

Ky është njoftimi që ka bërë Bashkia e Tiranës, lidhur me festën e cila tashmë është kthyer në traditë prej disa vitesh për çdo datë 16 shtator, që të kalohet përmes manifestimeve dhe spektakleve të shumta në natyrë.

“Duke qenë se në këtë festë spektatorët janë të shijeve, moshave e kulturave të ndryshme, është kuruar çdo detaj në mënyrë që secili të gjejë hapësirën e tij”, bën me dije kabineti i Bashkisë së Tiranës, që po merret me organizimin e këtij evenimenti.

Konkretisht, anëtarët e tij bëjnë me dije se “një skenë gjigande do të ndërtohet në qendër të Pezës, ku nën dritat shumëngjyrëshe do të ngjiten artistë të mirënjohur dhe të rinj. Si çdo vit çati e kësaj skene do të jetë qielli”.

Bëhet me dije konkretisht, se festimet do të fillojnë me këngët dhe vallet e ansamblit ”Tirana”, për të vazhduar më tej në orët e mëvonshme, kur në skenë do të ngjiten këngëtarë të rrymave të ndryshme, që nga muzika folk e deri tek ajo moderne.

Në fund, Bashkia e Tiranës, sqaron se për të gjithë të interesuarit që duan t’u bashkohen këtyre festimeve, do të vihen në dispozicion autobusë urbanë, pranë Stadiumit ”Dinamo”, të cilët nga ora 17:00 deri me 23: 00 do të kryejnë itinerar të rregullt për të marrë dhe kthyer njerëzit nga Festa e Pezës.

n.e/NOA

KOMENTE