Tiranë, 17 Shtator 2010 NOA – Fletët e votimit nuk do t’i nënshtrohen procesit të djegies së lajmëruar këto ditë nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, por do të’i nënshtrohen një shtyrjeje tjetër, ka pohuar kryeministri Sali Berisha.
Shefi i qeverisë ishte për mbi tre orë mbrëmë në një bashkëbisedim me gazetarë, që drejtohen nga analisti i njohur Blendi Fevziu në programin “Opinion” në Tv Klan, përballë edhe drejtuesve të pesë gazetave kryesore në vend.
Berisha iu përgjigj pyetjeve që lidhen me aktualitetin politik dhe ekonomik në vend, të drejtuara jo vetëm nga z.Fevziu por edhe drejtori i “Panorama”, Andi Tela, kryeredaktori i “Koha Jonë”, Edison Kurani, drejtorja e “Gazeta Shqiptare”, Anila Basha, kryeredaktori i “Mapo”, Arion Sulo dhe i “Shekulli”, Ened Janina.
Berisha siguroi se PD s'do përdorë forcën e votës në KQZ: “Përderisa ne kemi një propozim drejtuar Partisë Socialiste, ne do t'i qëndrojmë plotësisht propozimit tonë. Do të jetë PS ajo që do të përcaktojë qëndrimin tonë. Në rast se PS do t'u drejtohet gjykatave për rinumërimin e votave, ne kemi gjetur zgjidhjen, kemi kërkuar që çështja e hapjes së kutive të shtyhet për në fund të punimeve të komisionit dhe komisioni të merret me 10 çështjet e tjera që ka kërkuar opozita. Është e vërtetë që KQZ është institucion i pavarur, por anëtarët e PS dhe PD përcaktojnë vendimet me votat e tyre. Ajo që dua të them, është që shumica nuk do të përdoret, ne ua kemi kërkuar këtë gjë atyre që kemi propozuar. Unë nuk kam komunikuar me zotin Ristani, edhe mund të komunikoja. Por unë kam komunikuar vetëm me zotin Kosovrasti, i cili është përfaqësues i Partisë Demokratike. Ai do ta bëj këtë propozim që të mos ketë hapa të tillë”.
Lidhur me qëndrimin e maxhorancës ndaj kërkesave të opozitës, Berisha tha se do të respektohet çdo kërkesë e PS që nuk shkel ligjin dhe kushtetutën e vendit.
“Më datën 28 korrik, Partia Socialiste solli një paketë propozimesh, të cilat u studiuan me interes të veçantë dhe vëmendje. Këto konsistonin në kërkesën e tyre për hetimin e 11 çështjeve, çka mund të ishin edhe 30 dhe unë u flas publikisht se për këto çështje që ekzistojnë ne jemi të hapur. Dhe ndër të tjera, ata kërkonin që të fillojë procesi me analizën e materialeve të zgjedhjeve dhe për çështjen e votave kërkonin që t'i drejtoheshin në mënyrë kushtetuese Gjykatës Kushtetuese. Në rast se gjykata brenda 10 ditëve nuk i drejtohej Venecias, kjo kompetencë t'i merrej Gjykatës. Nuk ka rëndësi, rëndësi ka kjo, që në përgjigjen tonë ne biem dakord që opozita të ngrejë komisionin, opozita të ketë shumicën në votim, opozita ta kryesojë. Biem dakord të fillojmë hetimin e të gjitha çështjeve të ngritura nga opozita. Me 10 të parat në rast se opozita insiston me rinumërimin e fletëve të votimit. Për këtë s'kemi asnjë kundërshtim, vetëm ka vendime gjykatash. Opozita t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, opozita t'i drejtohet Gjykatës së Strasburgut, të cilës i drejtohen çdo ditë qytetarët shqiptarë, e cila predominon me Kushtetutë mbi gjykatat e vendit, të marrë vendimin e gjykatave dhe ne të numërojmë çdo votë, të ndryshojmë çdo rezultat pa asnjë hezitim. Të paktën ne, në vitin 2001 faktori ndërkombëtar na sugjeroi Strasburgun, kësaj here s'e ka sugjeruar fare se s'ka nevojë, por ne i themi shko. Gjykata Kushtetuese është Gjykatë Kushtetuese. Para kësaj Kushtetute ka qenë Presidenti garanti, me këtë Kushtetutë u vendos Gjykata Kushtetuese garanti. Askush tjetër nuk mund të marrë atributet e pushtetit të saj përveç asaj. Në rast se gjykata vendos, ne absolutisht jemi dakord në çdo gjë. Në këtë kontekst, ne nuk mund të themi të digjen fletët tani, por kur ata të kenë kthyer përgjigjen. Do të ishte, si të thuash, një lojë e dyfishtë, këtu mund të kishin të drejtë socialistët në qoftë se nesër vendosej djegia e fletëve, do të thonin, këta na kanë propozuar për dy-tre muaj, po presim tre-katër muaj, këta po djegin fletët”.
Në këtë kuadër, z.Berisha tha se zgjidhja e rinumërimit të votave nga gjykata e institucionet ndërkombëtare dhe shtoi:
“Përderisa çështja është propozim i shumicës, unë mendoj që nuk është normale që shumica nga një anë t'u propozojë shkoni në institucionet ndërkombëtare, në Gjykatën Kushtetuese për të zgjidhur përfundimisht rinumërimin e votave dhe nga ana tjetër, KQZ ose përfaqësuesit tanë aty të votojnë për djegien e tyre. Kjo nuk përbën seriozitet. Komisioni Qendror duhet t'i përgjigjet vetëm ligjit. Ku është defekti? Defekti është se ligji përcakton djegien dhe kjo është e padiskutueshme, këtu ne nuk i ndërhyjmë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në qoftë se hapen kutitë, absolutisht pa një vendim gjykate fletët nuk do të kenë patjetër përveç se vetëm djegien, djegien dhe vetëm djegien. Kjo nuk lëviz, sepse është votuar së bashku me ta. Është ligj konsensual. Ata kanë listuar me dhjetëra çështje, nga regjistri i gjendjes civile tek listat e votimit, tek letrat e njoftimit. Vetëm ato çështje po të garantoj duan së paku katër deri në gjashtë muaj hetim. Në qoftë se ka vullnet dhe dëshirë zoti Rama për të proceduar, ne kemi krijuar absolutisht të gjithë hapësirën. Këto tre-katër muaj ne merremi me hetimin e të gjitha çështjeve. Për çështjen njëmbëdhjetë, mund ta fillojnë që tani në qoftë se pranojnë nenin 178 pika 6, e cila thotë "materialet e votimit shkojnë në arkiv, të tjerat digjen". Nëse zoti Rama insiston patjetër që duhet rinumërim, atëherë kjo zgjidhet vetëm me vendim gjykate dhe ne jemi të gatshëm që këtë çështje ta shtyjmë për 3-4 muaj. Të merren vendimet e gjykatave dhe pastaj të ndodhë”.
Gjatë intervistës, kryeministri u pyet nga kryeredaktori i gazetës “Koha Jonë”, Edison Kurani dhe mbi letrën e opozitës drejtuar Parlamentit Evropian:
“Zoti Kryeministër, kryetari i grupit të PS i ka dërguar sot një letër krerëve të grupeve parlamentare në PE, ku vë në dukje se bisedimet e kryera mes PD dhe PS nuk patën rezultat. Nga ana tjetër ai flet për një dokument konfidencial që i është dhënë mazhorancës dhe thotë se marrëveshja e ofruar nga PS i hapte rrugën një bashkëpunimi afatgjatë mes dy palëve. Edhe ju i konsideroni të mbyllura këto bisedime?
“Jo. Zotit Gramoz Ruçi i është dorëzuar një letër konfidenciale ku i jepet përgjigje për propozimet e tyre dhe bëhen propozimet shtesë. Unë pres përgjigje me shkrim nga zoti Ruçi. Sa i përket komunikimeve me ndërkombëtarët unë mendoj se ato janë normale”.
e.r/NOA