English

USAID, ndihmon përmirësimin e konkurrueshmërisë në industrinë e fasoneve

Shkodër, 16 shtator, NOA - Kompanitë e prodhimit të veshjeve dhe të këpucëve në rajonin e Shkodrës morën pjesë në seminarin e parë të USAID-it, i cili ndihmon në rritjen e cilësisë së produkteve të këtyre kompanive.

Përgjatë shtatorit dhe tetorit USAID-i do të mbështesë 12 seminare me prodhuesit shqiptarë më të suksesshëm në sektorin e prodhimit të veshjeve dhe të këpucëve, me qëllim përmirësimin e konkurrueshmërisë dhe rritjes së nivelit të eksporteve.

Inxhinieri specialist në industrinë e prodhimit të veshjeve, Haycok, që drejton këto seminare tha për prodhuesit se “Shumë në sektorin tonë besojnë në legjendën që për të përmirësuar prodhueshmërinë mjafton të detyrojnë punëtorët të punojnë më shumë”.

Në fakt sipas tij, 80 përqind e arsyeve për një nivel të ulët prodhueshmërie vijnë nga përgjegjësia e menaxhimit.

Sipas të dhënave, industria shqiptare e prodhimit të veshjeve realizon rreth 27përqind të eksporteve të vendit dhe punëson më shumë se 40 000 punëtorë.

Drejtori i Misionit të USAID-it, Joseph Williams pranoi se “USAID-i po punon në këtë sektor për shkak të mundësive për rritjen e shitjeve të kompanive dhe krijimin e më shumë vendeve të reja pune për shqiptarët që ofron ai”.

Sipas Williams, e rëndësishme për ekonominë shqiptare është që të ketë industri dhe kompani, të cilat zhvillojnë standarde të larta të cilësisë dhe që janë konkurrente të forta në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Këto seminare do të pajisin drejtuesit dhe menaxherët e ndërmarrjeve me mjete e metoda praktike, që të përmirësojnë prodhueshmërinë.

Ata do të tregojnë si ndërtohen sistemet e menaxhimit dhe kontrollit të cilësisë, që janë të nevojshme për të arritur objektivat e prodhimit efektiv dhe për uljen e kostove të prodhimit.

Përpos pjesëmarrjes në seminaret e produktivitetit, shtatë kompani shqiptare të sektorit të prodhimit të veshjeve po përfitojnë drejtpërsëdrejti nga asistenca teknike, me qëllim krijimin e shembujve më të mirë të ndërmarrjeve me prodhueshmërisë së lartë.

Në muajt e ardhshëm, USAID-i do t’i ndihmojë këto kompani të zhvillojnë faqe interneti dhe materiale marketingu profesionale, si dhe do t’i mbështesë të arrijnë rezultate sa më të larta nga takimet me partnerë të mundshëm biznesi.

Në muajin gusht, USAID-i mbështeti nëntë menaxherë prodhimi dhe marketingu nga katër kompanitë më të suksesshme shqiptare për të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Modës në Kopenhagen të Danimarkës, ku u realizuan afro 40 takime me blerës të mundshëm, disa prej të cilëve po planifikojnë të vizitojnë Shqipërinë për takime vijuese në të ardhmen e afërt.

Seminaret e USAID-it mbi prodhueshmërinë u mundësuan me mbështetjen dhe bashkëpunimin e Dhomës së Fasonistëve të Shqipërisë dhe Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve.

mit/NOA
KOMENTE