English

Vetëvendosje: Tendosja veriore, Kosova shtet vetëm në letër

Prishtinë, 16 shtator, NOA – “Ka tashmë disa muaj që tendosjet në veri të Kosovës janë shpeshtuar. Që prej rebelimit të strukturave paralele të Serbisë për moslejimin e kthimit të shqiptarëve atje, e deri te përleshjet periodike te Ura e Ibrit. Që prej hedhjes së bombave e deri te vrasja e shqiptarëve. Kush po i kontribuon kësaj gjendje dhe në ç’funksion është ajo?”

Kjo është pyetja që ka shtruar në një deklaratë të saj për shtyp, lëvizja Vetëvendosje, sipas të cilës, që prej 11 vitesh veriu i Kosovës i është lënë Serbisë. “Pushteti komunal, administrata, arsimi, shëndetësia si dhe jeta politike e shoqërore e serbëve që jetojnë në këtë territor, organizohet nga Beogradi. Zgjedhjet e Serbisë mbahen rregullisht dhe politikanët serbë jo vetëm që enden lirisht dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre kundër Kosovës, por madje shfaqen publikisht edhe të armatosur”, citon deklarata.

Duke shtuar sesi “pas shpalljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës sipas rekomandimit të Ahtisaarit, çdo ditë e kaluar ka përforcuar faktin se kjo pavarësi pa vetëvendosje e shpallur prej një qeverie pa dhëmbë, mbeti shtet në letër”.

“EULEX-i, Serbia dhe qeveria e Kosovës janë plotësisht të bashkërenduar për çështjen e veriut. Serbia i ndërsen strukturat paralele, Bajram Rexhepi e dërgon njësinë speciale në veri me deklarata, shqiptarët e serbët nxiten për përleshje te Ura e Ibrit, kurse EULEX-i hyn në mes. Krejt kjo situatë e tensionuar mirëmbahet si trysni për negociata të reja. Kjo gjendje po mirëmbahet për t’i sqaruar disa gjëra: së pari që pushteti i Qeverisë së Kosovës është deri te ura. Së dyti që Serbia e kontrollon veriun. Dhe së treti që EULEX-i nuk toleron kurrfarë konfrontimi, gjë që nënkupton nisjen e negociatave”, citohet më tej.

E në fund, thuhet se “në mënyrë që Kosovës të mos i ndodhë gjë fatkeqe, populli dhe shoqëria e saj duhet t’i japë fund konjukturave qeverisëse të shitura e të korruptuara, të varura e të shantazhuara, që punojnë për vete e jo për shtet”.

n.e/NOA

KOMENTE