Tiranë, 17 shtator, NOA – Ndërsa ditën e djeshme sytë e politikës ishin drejtuar nga salla e Kuvendit, ku u zhvilluan debate të ashpra mbi disa ligje të qeverisë, sot ata do të ndalen te mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
E kjo, pasi ky institucion në takimin e tij të sotëm mes anëtarëve pritet të diskutojë vendimin e debatueshëm mbi djegien apo jo të fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar.
Një çështje kjo e cila ka shkaktuar reagimin kundërshtues të opozitës, e cila shqetësimin rreth marrjes së mundshme të vendimit për djegien e fletëve të votimit ia ka paraqitur me një letër të posaçme dje edhe krerëve të Parlamentit Evropian.
Konkretisht, ka qenë kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, e cila e ka nisur këtë letër ndaj krerëve të grupeve parlamentare kryesore në Parlamentin Evropian Martin Schulz dhe Joseph Daul, si edhe komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule.
Kjo letër parashtron shqetësimin e selisë rozë lidhur me masën e paralajmëruar të KQZ-së për djegien e fletëve të votimit, ku ajo ka bazuar në fakt edhe transparencën e procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009.
Sipas opozitës, djegia e fletëve të votimit është veprimi që do të “djegë” çdo lloj marrëveshjeje të mundshme me Partinë Demokratike për atë që quhet transparencë e zgjedhjeve.
Ndërsa vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është shprehur se nëse kjo
ndodh, socialistët do të dalin në protestë dhe do të rishikojnë raportin e tyre me
Kuvendin.
n.e/NOA