Tiranë, 17 shator, NOA - Marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë, Gjermanisë dhe Austrisë, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, dhe veçanërisht ai i liberalizimit të vizave, si dhe zhvillimet e fundit në rajon pas miratimit të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB për Kosovën, kanë qenë temat kryesore gjatë takimit të ministrit Edmond Haxhinasto me ambasadorët e vendeve respektive në Tiranë.
Ambasadorja gjermane, Carola Muller-Holtkemper siguroi Ministrin Haxhinasto për mbështetjen e plotë të Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave, i cili tashmë është shumë pranë finalizimit si dhe për bashkëpunim të plotë dhe të hapur për të ardhmen.
Të njëjtin vlerësim ka dhënë dhe ambasadori i Austrisë në Tiranë, Marin Kramer.Haxhinasto vlerësoi mbështetjen e spikatur të Gjermanisë dhe Austrisë për Shqipërinë në kuadrin dypalësh dhe për asistencën që këto vende kanë ofruar në vazhdimësi për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian në të gjitha dimensionet e tij.
Ministri Haxhinasto u shpreh se miratimi konsensual i rezolutës për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së konfirmon legjitimitetin e pavarësisë dhe integritetin territorial të Kosovës dhe ndihmon për konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike dhe të ardhmen e saj evropiane.
a.k/NOA