Tiranë, 17 shtator, NOA – Pas padisë së bërë në prokurori nga deputeti i PS-së, Eduard Halimi ka reaguar dhe Partia Socialiste. Deputetja e PS-së, Shega Ligori publikoi sot një dokument që sipas saj fakton se Halimi ka qenë anëtar i këshillit mbikëqyrës të një kompanie që merret me lojërat e fatit.
“Deputeti Halimi asnjëherë nuk pati kurajën për t’i dhënë përgjigje pyetjes sonë e cila zbardhet përmes këtyre dokumenteve, morali i zotit Halimi është edhe më i cenuar kur shfrytëzon postin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë për të mbrojtur ish punëdhënësin e tij Arian Tartari njëherësh bashkëjetues i deputetes Albana Vokshi”, u shpreh Ligori.
Ajo ka paraqitur para mediave vendimin e regjistrimit në Gjykatën e Tiranës të Shoqërisë tregtare “International Technology System Albania” me objekt organizim lojërash fati e lotarish. “Me pronar z. Arian Tartari bashkëjetuesin e deputetes Vokshi, dhe me anëtar të këshillit mbikqyrës të kësaj shoqërie Z. Eduard Halimi, i cili sipas akteve të shoqërisë rezulton se ka marrë pagë nga bashkëjetuesi i deputetes Vokshi”, u shpreh Ligori.
Ajo ka shtuar se meqenëse deputeti Halimi ka vendosur të bëjë kallëzim në prokurori e “i sugjeroj që kur të shkojë në Porkurori të marrë me vete edhe këto dokumente të gjendura në arkivën elektronike të Vision Construction në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, u shpreh Ligori.
a.k/NOA