Tiranë, 17 shtator, NOA - Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani dhe Komisionerja Kombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Flora Çabej nënshkruan sot një marrëveshje në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin dhe respektimin efektiv të kuadrit ligjor në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Marrëveshja e bashkëpunimit është cilësuar e një rëndësie të veçantë në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
“Ky bashkëpunim mbas nënshkrimit të kësaj marrëveshje do të shtrihet kryesisht në hartimin e rregulloreve të përbashkëta për të gjitha institucionet e varësisë së Ministrisë së Drejtësisë”, tha në fjalën e tij ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani.
Nishani theksoi rëndësinë e veçantë që merr kjo marrëveshje për Shërbimin e Provës ne ekzekutimin e dënimeve alternative si dhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Institucioneve të vuajtjes së dënimit e cila kryen administrimin e të dhënave gjyqësore .
Një rëndësi më të madhe, sipas ministrit, kjo marrëveshje merr edhe në proceset e transferimit të personave që vuajnë dënimin jashtë vendit.
“Një aspekt i rëndësishëm mbetet respektimin e ruajtjes dhe i sigurisë së të dhënave personale kryesisht në proceset e procedimeve penale në transferimin e shtetasve shqiptarë që vuajnë dënimet në vende të ndryshme të botës, transferimi i të cilëve bëhet nëpërmjet gjykatave dhe që kërkon padyshim një siguri, garanci për mbrojtjen e të dhënave personale”, tha Nishani.
Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Ministrit të Drejtësisë dhe Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personal ka qëllim hartimin e rregulloreve të brendshme për mbrojtjen e të dhënave personale; hartimin e rregulloreve për sigurinë e të dhënave personale; përgatitjen e kodeve të etikës; përcaktimin e rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale të shtetasve shqiptarë ose të huaj që përpunohen nga Ministria e Drejtësisë si dhe dhënien/shkëmbimin e mendimeve për aktet ligjore dhe nënligjore, që kanë të bëjnë me të dhënat personale.
a.k/NOA