English

Nobelisti Le Clezio në shqip me romanin “Refreni i urisë”

Tiranë, 17 shtator, NOA – “Toena” hedh në qarkullim romanin e ri të shkrimtarit J.M.G. Le Clézio, “Refreni i urisë”, përkthyer nga Amantia Kapo. Me këtë roman të ri, të mrekullueshëm, prekës, shkrimtari përshkruan fatin e zymtë të së ëmës dhe të familjes së saj, të ardhur nga ishujt Morisë.

“Këtë histori e kam shkruar në kujtim të një vajze të re, që ishte një heroinë e vërtetë, pa e kuptuar as ajo vetë.” Me këto fjalë mbyllet romani i fundit i J-M G Le Clezios, mbas një përshkrimi të dhimbshëm nga Eteli, e ëma e tij, e cila përjetoi mjerimin, urinë por gjithashtu dhe fundin e luftës.

Të gjitha këto janë gjëra që ajo nuk mund t’i harrojë dot kurrë. Janë kujtime të cilat memoria jonë, kaq shumë selektive, nuk mund t’i fshijë kollaj. Gjurmë të një jete, shenja të pazhdukshme nga e kaluara, kënga marramendëse e zhgënjimeve të vjetra, një “refren”.

Martine Sagaert nga gazeta “L’Humanité” shkruan se “Secili prej nesh, sipas mënyrës së tij unike, shpreson të gjejë një kontinent të padukshëm. Refreni i urisë, libri i fundit i Le Clezios dëshmon një gjë të tillë. Refreni i shkurtër i fillimit paralajmëron fragmentet e fundit të këngës së plotë, e shkuara lidhet kështu me të ardhmen e lexuar ndryshe, gjithashtu, i tërë romani është një amplifikim i poemës së Arthur Rimbaud e vënë (e nxjerrë) në pah. “Dinn ! dinn ! dinn ! dinn !”, kështu ndodh me të gjitha uritë, me uritë e mia, nga “stomaku që më godet” deri tek “mrekullia e ndjesisë së ngopjes”.

“Mamaja, - i kujtohet Le Clezios, - më ka folur gjatë mbi jetën e përditshme të familjes së saj në vitet 30-të, ku moskokëçarja ngatërrohej në mënyrë të vazhdueshme me një cenim që mund të vinte papritur. Ajo e ndiente pothuajse fizikisht afrimin e luftës, duke folur për të si një sëmundje e gjatë, që e bënte të vuante nga fakti që nuk mund ta shëronte dot”.

Eteli, është personazhi i frymëzuar nga mamaja e Le Clezios. Gruaja-kurajë, së cilës i kushtohet ky roman. Ajo u rrit midis dy luftërave në një Paris ku çdo gjë i kujtonte ishujt Morisë të gjyshërve të saj, ra në dashuri me një djalë të bukur anglez me flokë të kuq e kaçurrela, asistoi në sallonin e shtëpisë në bisedat që paralajmëronin shkatërrimin që do të sillte Gjermania hitleriane, ishte dëshmitare e pafuqishme e rrënimit të familjes së saj të gënjyer e rrjepur nga batakçinjtë, biznesmenët, dhe, në moshën 20 vjeç, në timonin e Dë Dionit të mbushur me benzinë të holluar, ajo çoi familjen e saj në Nisë.

J. M. G. Le Clézio ka lindur në Nisë në 13 prill 1940. Le Clézio ka marrë çmimin Renaudot, në 1963, për romanin e tij të parë, «Proces verbali». Ka shkruar gjithashtu “Shkretëtira” (1980), “Ëndrra meksikane” (1988) dhe “Afrikani” (2004). J. M. G. Le Clézio, në 25 tetor 2008 mori çmimin Stig-Dagerman (shkrimtar i mirënjohur Suedez), dhe në 10 dhjetor po të të njëjtit vit, në Stokholm, çmimin Nobel, një mirënjohje ndaj veprës dhe talentit të tij. Librat e tij kanë një stil të kulluar, një kuintesencë, e janë në simbiozë me shkrimtarin. Duke lexuar veprën e tij, shijojmë bukurinë e një fytyre, të një zëri, mrekullinë e pranisë, të paharrueshëm.

m.s /NOA

KOMENTE