Prishtinë, 17 shtator, NOA – Dukuria e këmbimit të padrejtë duket se po përhapet në mënyrë të rrezikshme kohët e fundit, ku një rast i shfaqjes së tyre është identifikuar së fundmi edhe në Kosovë.
Siç bëhet me dije për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Kosovës, është arrestuar prej tyre A. Sopi në Prizren, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Kontraktim i përfitimit joproporcional”, e cila dënohet sipas nenit 270 të Kodit Penal të Kosovës.
Kjo pasi i dyshuari para disa viteve i ka dhënë borxh me një vlerë prej 60 mijë eurosh ankuesit U. Qorri me të cilin ka rënë dakord, që në pamundësi të pagesës së borxhit, të pajtohen me kushtin që t’i japë si kompensim shtëpinë e vet në vlerë prej 100 mijë eurosh.
E kohët e fundit Sopi po i ushtronte një presion të paparë, deri edhe duke e kërcënuar për jetën ankuesin, nëse nuk i lironte sa më parë shtëpinë.
I gjendur në të tilla kushte, U.Qorri është drejtuar menjëherë në polici, të cilat kanë kryer edhe ndalimin e kërcënuesit.
n.e/NOA