English

Pasqyra e Shtypit, 17 shtator 2010

Tiranë, 17 shtator, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Premte, 17 shtator 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.

Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme kërcënimin që i është bërë përmes E-mailit, ish-ministrit Prifti duke i kërkuar 1 milionë euro gjobë nga një i panjohur, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet. Ato paraqesin edhe votimin e djeshëm të ligjit të ndryshuar të pronave në Kuvend, dy herë. Ndërkaq, një argument tjetër i të përditshmeve sot është edhe ai i djegies së fletëve të votimit, ku socialistët përmes një letre, ia kanë paraqitur këtë shqetësim krerëve të Parlamentit Evropian.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Gjobë 1 milionë euro Dritan Priftit”, i cili citon faktin sesi ish-ministrit Prifti i është dërguar një E-mail duke i kërkuar 1 milionë euro gjobë, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Shoqatat atdhetare reagojnë ndaj Papandreut: Të mos fusë hundët në punët tona”.

“Pajtim Bello: Privatizimet po sjellin vetëm korrupsion”, është një artikull që citon një intervistë të ish-ministrit të Ekonomisë.

“Xhafaj: Nëse digjen fletët, nuk do njohim qeverinë” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Gazeta “Panorama” publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Dekreti i Topit/ Ligji për pronat, kaos në Kuvend, votohet dy herë”, i cili tregon detaje nga votimi i djeshëm në parlament i ligjit për pronat të ndryshuar.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Pitella: Fletët të mos digjen”.

Ndërkaq, lidhur me gjobëvënien ndaj Priftit, në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titullin “Krimet e Rënda: Të zbardhen mesazhet ndaj Priftit, i kërkuan 1 milionë dollarë”.

Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Sesilia Plasari: Kam gati një sërë veprash, emri im po përdoret”.

“Gazeta Shqiptare” ka si titull kryesor të saj “Historianët kundër Kristos: Himara, minë me sahat”, i cili tregon reagimin e historianëve lidhur me deklaratat e akademikut Frashëri në “GSH” për simpoziumin mbi Himarën.

“Zgjedhjet lokale nxehin futbollin, politikanët fusin duart te ekipet”, është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje.

Ndërsa në një artikull të veçantë në këtë të përditshme do të lexoni atë me titull “62-vjeçari rrëfen jetën: U martova 20 herë, po përsëri jam beqar”.

“8-mujori i Financave, ulet niveli i investimeve” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “Zhduket kompjuteri sekret i misionit shqiptar në OKB”, i cili tregon sesi është zhdukur kompjuteri i bërë dhuratë nga CIA, ku ishin edhe letra të rëndësishme diplomatike për Shqipërinë.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Shkelet rregullorja/ Amulli në Kuvend, ligji i pronave votohet 2 herë”.

Ndërsa çështja e gjobëvënies ndaj Priftit mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “Gjobëvënie 1 milionë euro Dritan Priftit: Paratë, ose të vramë familjen”.

“Ish-Ekspozita, debati kalon në Kuvend, prokuroria nis hetimet, do thërrasë Shalsin dhe Rulin” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor “Fletët e votimit, djegien e vendos Kushtetuesja”, i cili i referohet deklaratës së bërë nga kryeministri se nëse PS nuk e pranon vendimin e KQZ, do t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese.

Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Skënder Gjinushi: Hapja e kutive nuk mund të kërkohet pambarimisht”.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Ligji/ Pronat, Kuvendi rrëzon Presidentin”.

Ndërsa në rubrikën “sociale” do të lexoni “Lista e re e aplikantëve për vizë në ambasadën greke”.

n.e/NOA

KOMENTE