English

Promovohet albumi me fotografi dhe vepra të skulptorit Odhise Paskali

Tiranë, 17 shtator, NOA - Sot në sallën "Tefta Tashko Koço", pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u organizua ceremonia e promovimit të albumit “The best of Paskali”, një përmbledhje kjo me fotografi e veprat më të mira të skulptorit të njohur shqiptar.

Odhise Paskali lindi në Përmet në vitin 1903. Studioi për Letërsi dhe Filozofi në Torino të Italisë, ku më pas vazhdoi studimet për Histori arti në vitin 1927 dhe vite më vonë, në 1931-shin, krijoi shoqërinë "Miqtë e artit".

Në periudhën e viteve 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë u ngritën disa monumente skulpturore, punime të autorit.

Skulptori i Popullit është i njohur për shumë nga punimet e tij, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat: "I urituri", "Luftëtari Kombëtar", "Themistokli Gërmenji", në Korçë; "Ushtari i panjohur", "Partizani fitimtar" (Mathauzen, Austri) 1968; Monumenti i Skënderbeut në Tiranë me bashkautorë; Bustet: Naim Frashëri, Jeronim De Rada, Vojo Kushi e shumë vepra të tjera.

Albumi i tij u realizua në saj të së bijës Floriana Paskali, kritike arti dhe mbështetjes së MTKRS-së.

“Janë pikërisht thëniet dhe vepra e Paskalit tonë të madh, kryefjala e kësaj ceremonie, në të cilën më prezent se cilido, është vetë ai, Odhise Paskali, i cili na dha mundësinë të kurorëzojmë një vepër që përmban në vetvete shumë vepra njëherazi, në gjurmët e së cilës ne shohim një pjesë të rëndësishme të kulturës dhe traditës sonë”, tha në fjalën e tij me këtë rast, ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri.

Sipas tij, me anë të albumit “The Best of Paskali”, në të cilin zë vend krijimtaria më përfaqësuese e tij, ne arrijmë të njohim drejtpërsëdrejti shpirtin e këtij artisti të pazakontë, misionin e shenjtë ndaj artit, të cilit ai iu përkushtua përgjatë gjithë jetës së tij.

Në fund, Xhaferraj pohoi se me punën dhe talentin e jashtëzakonshëm që bartte gjenialiteti i Paskalit dhe i shumë artistëve të tjerë të kësaj përmase, shoqëria mundi të kuptonte se arti nuk ishte vetëm fjala apo tingulli, por edhe imazhi në krejt kompleksitetin e tij.

n.e/NOA

KOMENTE