English

Ruçi: Nuk ka zgjedhje në Shqipëri pa transparencën e fletëve të votimit

Tiranë, 17 shtator, NOA, Update – Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi u shpreh se opozita ja ka bërë të ditura qëndrimet e saj mazhorancës në daljet publike dhe është e gatshme të ankohet ajo në Komisionin e Venecias, por me kusht që të mos digjen fletët e votimit.

“Ne marrim përsipër t’i drejtohemi Komisionit të Venecias dhe të pranojmë çdo përgjigje,e cilado qoftë ajo. Por fletët e votimit ngrijnë derisa të vijë vendimi i Komisionit të Venecias për këtë çështje”, u shpreh kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi në një bashkëbizedim të zhvilluar sot me gazetarët.

Ai ka folur dhe për letrën që u ka dërguar përfaqësuesve të grupeve më të mëdha parlamentare të PE-së.

“Jo vetëm nuk është një thirrje e dëshpëruar, por shprehje e forcës tonë politike dhe qëndrimit që ka ndaj institucioneve ndërkombëtarë dhe vendit. Kjo është shprehja e urtësisë së forcës tonë dhe vendosmërisë”, tha Ruçi.

Ruçi u shpreh se kërkesa jonë në Komisionin e Venecias do të jetë e vlerësueshme dhe e pranueshme nga ky komision. Ai ka përsëritur dhe një herë qëndrimin e PS-së se “nuk ka zgjedhje në Shqipëri pa u bërë transparenca”.

Nga ana tjetër Ruçi tha se djegia e fletëve të votimit do të vërtetonte dyshimet se Berisha është “hajduti i zgjedhjeve”.

a.k/NOA

KOMENTE