English

Selmani takon punëtorët e falimentuar, marrëveshje për statusin

Shkup, 17 shtator, NOA - Kryetari i Demokracisë së Re në Maqedoni, Imer Selmani, zhvilloi një takim me trupin koordinues të punëtorëve, të cilët e kanë humbur punën e tyre mbi bazë të falimentimit ose likujdimit të ndërmarrjeve me kapital shtetëror.

Në kuadër të këtij takimi, u nënshkrua edhe një marrëveshje me anë të së cilës, Demokracia e Re si parti opozitare, obligohet që të japë përkrahje maksimale në realizimin përfundimtar të kërkesave të kësaj kategorie qytetarësh të vendit.

Po ashtu, me marrëveshjen e nënshkruar, parashihet bashkëpunim dhe dialog i vazhdueshëm mes DR-së dhe punëtorëve, sjellja e një ligji i cili do të sigurojë kompensim mujor prej 6000 denarëve deri në punësimin e ardhshëm ose deri në pensionim për punëtorët me së paku 15 vite përvojë punë dhe në moshë prej 50 viteve për gra dhe 53 për burra.

Kryetari i DR-së, Selmani para punëtorëve tha se kërkesat e tyre janë legjitime dhe DR-ja në kontinuitet ka përkrahur iniciativat për zgjidhjen e statusit të tyre dhe këtë përkrahje do të vazhdojë ta japë në mënyrë institucionale.

“Është e pakuptimtë mënyra se si qeveria aktuale harxhon mjetet e buxhetit për projekte dhe investime të panevojshme, për përmendore e skulptura, në kohë kur një kategori qytetarësh pa fajin e tyre ballafaqohen me probleme ekzistenciale dhe janë lënë në mëshirën e fatit të tyre. Padyshim se kjo qeveria ka humbur rrugën e saj dhe tanimë punon kundër interesave të qytetarëve të cilët e kanë zgjedhur për t’ua përmirësuar jetën”, tha Selmani.

Duke shtuar se ka ardhur koha që kjo qeveri të largohet dhe me fitoren në zgjedhjet e ardhshme e pjesëmarrjen e saj në qeveri, PDR në programin qeveritar do të fusë edhe zgjidhjen e çështjes së punëtorëve të ndërmarrjeve të falimentuara ose të likuiduara me kapital shtetëror.

n.e/NOA

KOMENTE