English

SHBA përgatit 33 ushtarakë shqiptarë për asgjësim bombash

Përfundon trajnim i nivelit të parë për demontimin, në kuadër të planit trajnues 5-vjeçar i Shteteve të Bashkuara për Forcat e Armatosura. Ministri Arben Imami: “Angazhimi ynë është që brenda vitit 2013 të çlirojmë vendin nga municionet e tepërta, kjo barrë e rëndë e trashëguar nga sistemi komunist”

Tiranë, 17 shtator 2010 NOA - Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami dhe zv. ambasadorja amerikane në Shqipëri, Debora Jones, morën pjesë sot në ceremoninë e çertifikimit të personelit të Forcave të Armatosura për Asgjësimin e Municioneve dhe Eksplozivave (AME), trajnuar nga ekipi AME Amerikan.

Ky kualifikim dhe çertifikim vjen në kuadër të bashkëpunimit midis Departamentit të Shtetit dhe Mbrojtjes së SHBA-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë.

Ceremonia u zhvillua në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Shkolla e Trupës.

Të 33 ushtarakët e sapodiplomuar, do të angazhohen në procesin e rëndësishëm të asgjësimit të municioneve dhe eksplozivave në poligonet e reja që pritet të hapen brenda pak ditësh.

Në fjalën përshëndetëse të kësaj ceremonie, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Agim Lala, në emër të të gjithë ekipit të trajnuar falënderoi ekipin amerikan AME dhe Departamentin e Shtetit dhe Mbrojtjes së SHBA-së, që punoi me përkushtim në realizimin e këtij projekti madhor, si dhe për ndihmën e ofruar për Forcat tona të Armatosura.

Zv. ambasadorja amerikane, znj. Jones, u shpreh: “Ky trajnim i nivelit të parë të ekspertëve të EOD-së, është vetëm fillimi i një plani trajnues 5-vjeçar i Shteteve të Bashkuara për ushtrinë Shqiptare, projekt i cili do të rris kapacitetet e FA Shqiptare për të ndërmarrë operacione të përbashkëta me forcat e koalicionit”, nënvizoi znj. Jones.

“Hartimi i një plani afatgjatë trajnimi për personelin shqiptarë të EOD-së, u bë i mundur me mbështetjen e Zyrës së Bashkëpunimit Ushtarak Amerikan dhe dha rezultate falë punës së përbashkët të përfaqësuesve amerikanë dhe shqiptarë. Ky projekt paraqet një tjetër shembull të shkëlqyer të marrëdhënieve që ekzistojnë midis SHBA dhe Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të zhvilluar Forcat e Armatosura Shqiptare në një forcë të aftë, të ndërveprueshme në NATO, si dhe për të ndërtuar marrëdhënie bilaterale me përfitim reciprok ndërmjet të dyja shteteve tona”, theksoi, më tej, në fjalën e saj zv. Ambasadorja amerikane e akredituar në Tiranë.

Znj. Jones falënderoi drejtuesin e ekipit amerikan Mr. Mach dhe gjithë grupin e tij të kompanisë 702 dhe 720 të EOD-së, nënkolonelin Stanley dhe ekipin e Forcave Detare Amerikane, të cilët siguruan një trajnim shumë të mirë mjekësor, duke e cilësuar këtë një trajnim tepër të rëndësishëm pasi grupet e punës kanë të bëjnë me operacione tepër të rrezikshme me lëndë plasëse.

Kurse Ministri i Mbrojtjes z. Imami, gjatë fjalës së tij theksoi: “Është kënaqësi të marrësh pjesë në ceremoni si kjo që çertifikon rritjen e kualiteteve dhe kapaciteteve njerëzore në Forcat tona të Armatosura. Në fakt ky është edhe fokusi dhe përqendrimi i politikave tona. Ne besojmë që softi njerëzor, personeli i tij me aftësi është rruga e vetme për të ngritur kapacitetet e një shoqërie të një vendi të vogël, por që do ta realizoj me sukses, me ndershmëri detyrën që i takon brenda Aleancës së Atlantikut të Veriut, ashtu sikurse edhe detyrën dhe misionin që ka kjo ushtri kundrejt sigurisë së vendit.

Imami tha se demilitarizimi dhe demontimi i municioneve të tepërta, është një prioritet i qeverisë shqiptare, një prioritet me rëndësi shumë të madhe, prioriteti i prioriteteve për ne. Angazhimi ynë është që brenda vitit 2013 të çlirojmë vendin nga kjo barrë e rëndë e trashëguar nga sistemi komunist.

Më pas u zhvillua edhe ceremonia e përurimit të laboratorit të gjuhës angleze, një laborator shumë modern, një tjetër dhuratë e palës amerikane.

e.r/NOA

KOMENTE