Durrës, 17 shtator, NOA – Forcat e policisë së Durrësit kanë arritur të zbulojnë dhe dokumentojnë vrasjen e Ardian Çelës, ngjarje kjo e ndodhur dy javë më parë në Katund të Sukthit.
Ato bëjnë me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA se autori i dyshuar i saj është Pjetër Preçi, për të cilin u bë ndalimi i tij ditën e sotme për veprat penale të vrasjes me paramendim dhe prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake.
Kjo pasi dyshohet se ka vrarë me armë zjarri Çelën, gjatë kohës kur ky i fundit po hipte në automjetin e tij tip Hammer, të parkuar përballë banesës së tij.
I ndaluari Preçi, i moshës 43 vjeç, banor i fshatit Katundi i ri në Durrës, rezulton se ka qenë i dënuar më parë për mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake dhe kanosje.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se Pjetër Preçi e ka kryer vrasjen për motive hakmarrje, pasi ai dyshonte se viktima kishte organizuar plagosjen e rëndë të tij, ku më datë 10.02.2006, në Katund të Sukthit, atij i është prerë veshi.
Lidhur me vrasjen e mësipërme, policia e Durrësit ka filluar procedimin penal, ndërsa materialet proceduriale iu kaluan për ndjekje prokurorisë.
n.e/NOA