English

Avokatët: Topi show demagogjik për emërimet në gjykata, braktisi procesin

Tiranë, 18 shtator, NOA Update - “Duke besuar në vlerat e sistemit të drejtësisë dhe përfaqësuesve të tij, Dhoma Kombëtare e Avokatëve vlerësoi dhe mbështeti nismën e Presidentit në ngritjen e Grupit Konsultativ me qëllim përcaktimin e kritereve për përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë për emërimet në gjykatat më të larta të vendit”.

Kështu nis deklarata e Dhomës Kombëtare të Avokatëve të Shqipërisë, mbi përzgjedhjen e kandidatëve të sistemit gjyqësor, ku kriteret e përcaktuara dhe të miratuara nga presidenti i Republikës përveç aspekteve formale përfshinë mbi të gjitha kriterin moral, profesional dhe të karrierës që duhet të konkurrojnë tek kandidatët cilësorë.

“Me keqardhje, konstatojmë se ky proces u braktis nga Presidenti i Republikës duke u deformuar dhe kthyer në një show demagogjik, rezultati i të cilit solli mospërfshirjen në listën e kandidatëve të dekretuar të personaliteteve të fushës së drejtësisë me integritet të lartë profesional dhe moral brenda dhe jashtë vendit”, thuhet më tej në deklaratën e lëshuar për shtyp.

Duke shtuar se “kjo nuk bëri gjë tjetër veçse krijoi një precedent të rrezikshëm i cili i dha qytetari antivlerave, si paaftësia dhe korrupsioni. Ky proces i deformuar ndikoi po kaq negativisht në seriozitetin e angazhimeve që vendi ynë ka ndërmarrë për anëtarësimin në strukturat e Bashkimit Europian”.

“Për sa më sipër, Dhoma Kombëtare e Avokatëve të Shqipërisë, i bën thirrje institucioneve kushtetuese të ngarkuara me përzgjedhjen dhe miratimin e kandidatëve për gjyqtar në të gjitha nivelet, të vlerësojnë me përgjegjësi të lartë këtë proces për të bërë të mundur përzgjedhjen e kandidatëve më cilësorë në emërimet në të gjitha nivelet e gjyqësorit, veçanërisht në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.

n.e/NOA

KOMENTE