Tiranë, 18 shtator, NOA - Bashkia e Tiranës dhe Policia Bashkiake nisi sot një iniciativë të re, e cila synon përveç sanksioneve ndaj shkelësve të ligjit edhe të shprehë mirënjohjen për atë shumicë përdoruesish mjetesh, që respektojnë rregullat, duke parkuar në mënyrë të drejtë.
Nëpërmjet kësaj inisiative, Bashkia e kryeqytetit synon të rritë vetëdijen qytetare, se bashkëpunimi në komunitet i shërben një jete më të mirë komunitare.
Zyra e shtypit e Bashkisë së Tiranës bën me dije se edhe policia bashkiake do të vazhdojë me vendosmëri të ndëshkojë atë pakicë njerëzish, që nëpërmjet mosrespektimit të rregullave të qarkullimit, pengojnë lëvizjen normale të mjeteve dhe këmbësorëve në qytet.
Bashkia thekson se bazuar mbi studimet urbane ndërkombëtare, situatat problematike të qarkullimit në Tiranë, nuk vijnë si arsye e mungesës së kapacitetit të rrugëve dhe kryqëzimeve, problematikë kjo me të cilën përballen sot qytetet më të mëdha evropiane, por në Tiranë kapaciteti rrugor është mëse i mjaftueshëm për numrin e mjeteve që qarkullojnë.
Sipas bashkisë problematika në rrugët e kryeqytetit vjen si pasojë e mosmenaxhimit të qarkullimit dhe edukatës së dobët të përdoruesve të mjeteve dhe këmbësorëve.
Pjesë e rëndësishme e planit të masave dhe shkaku kryesor në rëndimin e situatës së qarkullimit është parkimi i gabuar, ai për dy, apo në disa raste dhe për tre.
mit/NOA