Tiranë, 18 shtator, NOA – Dhoma Kombëtare e Avokatëve të Shqipërisë, përmes një deklarate për shtyp, ka shprehur shqetësimin e saj shqetësimin dhe përgjegjësinë për debatin politik dhe atë profesional mbi reformën në drejtësi dhe procesin e emërimeve dhe transferimeve të gjyqtarëve në të gjitha nivelet e gjyqësorit.
“Kjo Dhomë është e ndërgjegjshme për problemet prezente në gjyqësorin shqiptar si korrupsioni, mungesa e integritetit dhe pavarësisë, mungesa e mekanizmit të vlerësimit dhe karrierës profesionale, si edhe për vështirësitë në zgjidhjen e këtyre problemeve”, citon deklarata.
Duke pohuar më tej se komuniteti i avokatëve ka bindjen se një gjyqësor i pavarur, i paanshëm, profesional dhe i ndershëm, mund të vendoset dhe funksionojë, atëherë kur në procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve, të zbatohen në mënyrë transparente dhe rigoroze jo vetëm kriteret formale, por mbi të gjitha ato profesionale dhe morale.
“Jemi të ndërgjegjshëm dhe dimë të bëjmë diferencën për të evidentuar karakterin e problemeve objekteve dhe subjektive në drejtësi. Pranojmë dhe duhet t’i pranojmë kontributet pozitive dhe po aq ato negative në veprimtarinë e gjyqësorit, të krijuara nga avokatët, prokurorët, gjyqtarët, ekzekutivi apo dhe vetë presidenti i Republikës, por nuk mund të pranojmë që pikërisht përfaqësues të institucioneve të larta kushtetuese të ngarkuara dhe përgjegjës direkt për veprimtarinë e gjyqësorit, në mënyrë aspak të përgjegjshme, veprojnë në kundërshtim me interesat e tij”, përfundon deklarata e Dhomës Kombëtare të Avokatëve të Shqipërisë.
n.e/NOA